Përvoja, vizioni dhe lidershipi në një bashkëbisedim frymëzues me studentët e Western Balkans University

Në kuadër të angazhimit për promovimin e edukimit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit profesional të të rinjve, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), z. Spiro Brumbulli, ishte i ftuar në një leksion të hapur të organizuar nga Zyra e Planifikimit të Karrierës dhe Alumni në Western Balkans University.
Gjatë takimit, z. Brumbulli ndau me studentët përvojën e tij të gjatë në sektorin bankar, administratën publike dhe akademinë, duke ofruar këndvështrime mbi rëndësinë e lidershipit, vizionit dhe procesit të vendimmarrjes në ndërtimin e një karriere të suksesshme. Ai trajtoi gjithashtu çështje që lidhen me zhvillimin profesional dhe sfidat me të cilat përballet sektori financiar në një mjedis gjithnjë e më dinamik.
Leksioni u shoqërua me një sesion interaktiv pyetje-përgjigje, ku studentët patën mundësinë të bashkëbisedonin drejtpërdrejt me z. Brumbulli dhe të përfitonin nga këshillat dhe përvoja e tij profesionale.
Përmes pjesëmarrjes në iniciativa të tilla, AAB vijon të kontribuojë në forcimin e lidhjeve mes sektorit bankar dhe institucioneve të arsimit të lartë, duke nxitur shkëmbimin e njohurive dhe frymëzimin e brezit të ri të profesionistëve.


