Pagesat e menjëhershme dhe inovacioni në sistemin e pagesave në fokus të sektorit bankar

Modernizimi i pagesave elektronike dhe afrimi i Shqipërisë me standardet evropiane po hyn në një fazë të re zhvillimi, me fokus te pagesat e menjëhershme (Instant Payments), që mundësojnë transferta në më pak se 10 sekonda, në mënyrë të sigurt dhe me kosto më të ulët për qytetarët dhe bizneset.

Në këtë kuadër, AAB, në bashkëpunim me IFC, organizoi workshop-in “Instant Payments – Overlay Services”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit bankar të angazhuar në projektin dhe aspektet operacionale të pagesave instant. Workshop-i u udhëhoq nga Kjeld Herreman, partner themelues i “Paylume”, Belgjikë.

Diskutimet u fokusuan në shërbimet shtesë që mbështesin funksionimin e pagesave të menjëhershme, si verifikimi i përfituesit të pagesës, pagesat përmes kodeve QR, kërkesat për pagesë dhe pagesat përmes identifikuesve alternativë, si numri i telefonit apo adresa elektronike.

Gjatë workshop-it u trajtuan përfitimet dhe sfidat që lidhen me implementimin e këtyre shërbimeve, si edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së pagesave në Shqipëri.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu aspektet teknike, kuadrin rregullator, ndërveprueshmërinë ndërmjet sistemeve, modelet e administrimit dhe afatet e mundshme të zbatimit, bazuar në praktikat evropiane në këtë fushë.

SHARE