Java e Parasë 2026 u çel me 17 mars 2026, me një ceremoni të organizuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, nën moton “Flasim zgjuar për paranë! – 100 vjet monedhë kombëtare!”, pasi përkon me 100-vjetorin e monedhës kombëtare shqiptare.
Kjo ceremoni u organizua në kuadër të Javës Globale të Parasë, një iniciativë që zhvillohet për të 12-in vit radhazi, duke promovuar edukimin financiar dhe ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e menaxhimit të parasë që në moshë të re, duke kontribuar kështu në rritjen e një kulture financiare të shëndetshme në Shqipëri.
Aktivitetin e përshëndeten z. Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe znj. Herida Duro, Zëvendës Ministre e Arsimit, të cilët theksuan rëndësinë e edukimit financiar për mirëqenien e shoqërisë dhe përgatitjen e të rinjve për sfidat e së ardhmes.
Aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e 5 konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë. Këto konkurse u mbështetën nga bankat anëtare të AAB-së.
Konkursi për nxënësit e klasave të treta “Vizato kartëmonedhën tënde – 100 vjet monedhë kombëtare”. Në konkurrim u paraqitën mbi 475 vizatime, të realizuara nga nxënës të 75 shkollave 9-vjeçare, prej të cilave u shpallën 10 fitues. Konkursi u mbështet nga ProCredit Bank Albania
Konkursi “Projekti më i mirë” për klasat IV mbi temën “100 vjet monedhë kombëtare”. Gjithsej në konkurs u paraqitën 52 projekte, të realizuara nga rreth 1500 nxënës të 43 shkollave 9-vjeçare. Konkursi u mbështet nga Credins Bank.
Konkursi me fotomontazhe (meme) për nxënësit e klasave VIII: “Flasim zgjuar për paranë!”. Gjithsej në konkurs u paraqitën 120 meme, të realizuara nga nxënës të 60 shkollave 9-vjeçare. Konkursi u mbështet nga Banka Kombëtare Tregtare.
Konkursi i videos më të mirë për nxënësit e shkollave të mesme: “Flasim zgjuar për paranë!”. Në konkurs morën pjesë 175 nxënës të 40 shkollave të mesme, me 82 punime të paraqitura. Konkursi u mbështet nga Union Bank.
Konkursi “Eseja më e mirë” me temë “Nga Franga dhe Leku i vitit 1926, te paraja digjitale: si ndryshon paraja dhe çfarë mbetet e pandryshuar?”. Gjithsej në konkurs u paraqitën 58 punime, të realizuara nga studentë të 13 universiteteve publike dhe jopublike të vendit. Konkursi u mbështet nga Tirana Bank.