AAB shpërndan certifikatat për fituesit e Kuizit Kombëtar të Parasë 2026

Më 7 prill, në ambientet e Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për tri ekipet fituese të Kuizit Kombëtar të Parasë 2026, si një moment vlerësimi për përkushtimin dhe rezultatet e shkëlqyera të nxënësve pjesëmarrës.
Gjatë aktivitetit, fituesit u përshëndetën nga z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, z. Martin Blushi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, të cilët përgëzuan nxënësit për performancën e tyre dhe për nivelin e lartë të njohurive të treguara në garë.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe ekipi fitues i vendit të parë, i përbërë nga Marinela Hoxha dhe Majla Idrizi, nga Shkolla 9-vjeçare “Imelda Lambertini” në Elbasan, të cilat do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen evropiane në Bruksel.
Gjithashtu, u vlerësuan me certifikata edhe ekipet e vendit të dytë dhe të tretë, përkatësisht Ajsli Manushi dhe Aira Hoxha, si dhe David Cepa dhe Bjork Bylykbashi, të gjithë nxënës të së njëjtës shkollë.
Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e përgatitjes për finalen e Brukselit, më 19 maj, duke nënvizuar angazhimin që do të vijojë në javët në vazhdim nga zyra ekzekutive e AAB, për të mbështetur ekipin fitues në këtë përfaqësim ndërkombëtar.





