Kuizi Kombëtar i Parasë 2026


Ky vit ka dëshmuar një interes të veçantë për edukimin financiar të të rinjve, duke shënuar pjesëmarrjen më të lartë ndër vite në organizimin e Kuizit të Parasë në Shqipëri.
Në Kuiz garuan 1,430 pjesëmarrës, prej të cilëve të regjistruar 1,196 nxënës të grup moshave 13–15 vjeç, të organizuar në 598 ekipe nga 108 shkolla në gjithë vendin, përfshirë pjesëmarrjen e 44 shkollave nga Tirana dhe 64 shkolla nga qytetet e tjera të vendit.
Gara u zhvillua on-line, më 26 mars, përmes platformës Kahoot! dhe ishte në transmetim direkt në kanalin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, në YouTube.
Pjesëmarrësit u përshëndetën nga z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, z. Martin Blushi, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, dhe z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
🏆 Fituesit e Kuizit të Parasë 2026 janë:
🥇 Vendi i parë:
Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:
Marinela Hoxha & Majla Idrizi
🥈 Vendi i dytë:
Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:
Ajsli Manushi & Aira Hoxha
🥉 Vendi i tretë:
Shkolla 9-Vjeçare “Imelda Labertini”, Elbasan – Klasa 9:
David Cepa & Bjork Bylykashi
Të tri skuadrat fituese shpërblehen financiarisht mundësuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ndërsa ekipi i vendit të parë do përfaqësojë Shqipërinë në finalen evropiane në Bruksel, në një sfidë ndërkombëtare me skuadra nga e gjithë Evropa, me organizim të Federatës Evropiane të Bankave (EBF), që do të zhvillohet më 18–19 maj në Bruksel. Kjo pjesëmarrje do të mundësohet nga Raiffeisen Bank.
Mësimi përmes lojës, nëpërmjet Kuizit të Parasë, u organizua për herë të nëntë në Shqipëri nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave (ASD), me miratimin e Ministrisë së Arsimit.