Lançohet edicioni i dytë i konkursit të mësimit të tregut të aksioneve – “Stock Market Learning Competition for Bankers”

Më 14 tetor 2025, u zhvillua ceremonia e hapjes së konkursit “Stock Market Learning Competition for Bankers”, e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung Albania, dhe me mbështetjen e Sektorit të Edukimit Financiar pranë Bankës së Shqipërisë.

Në këtë aktivitet, që shënon një tjetër hap të rëndësishëm në nxitjen e edukimit financiar në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE (Kapitulli 4 – Lëvizja e Lirë e Kapitalit), pjesëmarrësit u përshëndetën nga Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj, e cila hapi aktivitetin me fjalën e saj përshëndetëse.

Në vijim, z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, vlerësoi këtë nismë si një platformë inovative që ndërthur njohuritë teorike me praktikën e tregjeve financiare. Ai theksoi se edukimi financiar është thelbësor për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bankar, duke shtuar se pjesëmarrja e gjerë e bankave shqiptare dhe rritja e interesit nga viti në vit dëshmojnë përkushtimin e sektorit ndaj edukimit dhe zhvillimit profesional të punonjësve.

Në aktivitet morën pjesë gjithashtu z. Torsten Knapmeyer, Anëtar i Bordit të DekaBank Deutsche Girozentrale, Frankfurt, dhe znj. Anja Deinzer, Drejtore e German Sparkassenstiftung Albania, të cilët ndanë përvojat e tyre në fushën e edukimit financiar dhe rëndësinë e këtij procesi në përgatitjen e specialistëve të sektorit bankar.

Ky është viti i dytë i zhvillimit të konkursit, i cili ka pasur një interes në rritje nga bankat shqiptare. Këtë vit, mbi 150 bankierë janë regjistruar në aktivitet, duke dyfishuar pjesëmarrjen krahasuar me 75 pjesëmarrësit e edicionit të parë. Konkursi zhvillohet në format online, duke u ofruar bankierëve mundësinë të punojnë me të dhëna reale të tregut, të menaxhojnë dhe investojnë portofolë virtuale fondesh dhe të përfitojnë përvojë praktike në vendimmarrjen financiare për një periudhë tre mujore.

SHARE