AAB mirëpret në Tiranë anëtarët e asociuar të Federatës Evropiane të Bankave (EBF)

Më 17 tetor 2025, në Tiranë u zhvillua takimi i 63-të i anëtarëve të asociuar të Federatës Evropiane të Bankave (EBF), i mirëpritur nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB). Takimi mblodhi përfaqësues të shoqatave të bankave nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës, për të diskutuar zhvillimet kryesore dhe prioritetet në sektorin bankar. Pjesëmarrësit iu bashkuan një darke mirëseardhje të organizuar nga z. Bledar Shella, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të AAB.
Shoqata Shqiptare e Bankave u përfaqësua nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Spiro Brumbulli.
I ftuar ishte edhe z. Deniz Deralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, i cili gjatë takimit, prezantoi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, dhe znj. Elona Labinoti, Anëtare e Komitetit Ndihmës të Pagesave, Kartave, Digjitalizimit dhe Kanaleve Alternative, e cila paraqiti zhvillimet në fushën e pagesave.
Agjenda e takimit përfshiu prezantime mbi aktivitetet e fundit të EBF-së dhe zhvillimet në nivel të Bashkimit Evropian, si dhe diskutime mbi zhvillimet financiare në Shqipëri dhe trendet në sektorin bankar. Temat kryesore përfshinë digjitalizimin, pagesat, edukimin financiar, inovacionin dhe investimet në përmirësimin e aftësive të punonjësve, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale.
Takimi ofroi një platformë të vlefshme për shkëmbimin e eksperiencave, njohurive dhe praktikave më të mira ndërmjet anëtarëve, duke i mundësuar ata të ndajnë përditësime nga vendet e tyre përkatëse dhe të identifikojnë prioritetet për zhvillimin e sektorit bankar në rajon dhe Evropë.





