AAB dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për parandalimin e krimeve kibernetike në sektorin bankar

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nënshkruan më 22 tetor 2025 një Memorandum Mirëkuptimi, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e krimeve kibernetike dhe rritjen e sigurisë në sektorin bankar dhe financiar.

Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një fronti të përbashkët në mbrojtjen ndaj kërcënimeve digjitale, duke pasur në qendër shkëmbimin e informacionit të besueshëm, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë kibernetike.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, AAB dhe Policia e Shtetit do të punojnë së bashku për të parandaluar krimin kibernetik, me fokus të veçantë mbi mashtrimet online që prekin sektorin bankar. Marrëveshja parashikon gjithashtu shkëmbimin e përvojave dhe informacionit në përputhje me kompetencat përkatëse, pjesëmarrjen në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare kushtuar sigurisë digjitale, si dhe zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese për qytetarët mbi përdorimin e sigurt të shërbimeve online.

Një element thelbësor i bashkëpunimit do të jetë edhe ngritja e programeve të trajnimit profesional për përmirësimin e njohurive të stafit në të dy institucionet, si dhe nxitja e kërkimit dhe zhvillimit në fushën e masave parandaluese dhe mbrojtëse ndaj krimeve kibernetike.

Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke u shprehur se siguria kibernetike është një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë dhe kërkon bashkërendim institucional. “Kjo marrëveshje forcon partneritetin ndërmjet sistemit bankar dhe institucioneve ligjzbatuese, duke krijuar një bazë solide për parandalimin e krimeve digjitale dhe mbrojtjen e qytetarëve e bizneseve.” – u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit, përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Ilir Proda, nënvizoi se bashkëpunime të tilla janë thelbësore për parandalimin e krimeve kibernetike, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe ndërtimin e një mjedisi të besueshëm digjital.

Ky Memorandum Mirëkuptimi i bashkon të dy institucionet në një partneritet afatgjatë, të bazuar në reciprocitet, konfidencialitet dhe respektim të legjislacionit në fuqi. Ai synon të krijojë një mjedis bashkëpunues për t’u përballur më efektivisht me sfidat e epokës digjitale dhe për të ndërtuar një ekosistem financiar më të sigurt në Shqipëri.

SHARE