2014

Shoqata Shqiptare e Bankave mbështet Bankën e Shqipërisë në organizimin e Javës Globale të Parasë (10-17 mars)

Në kuadër të Javës Globale të Parasë, Shoqata Shqiptare e Bankave bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë në organizimin e disa aktiviteteteve edukuese. Java Globale e Parasë është një festë e përvitshme e cila organizohet në mbarë globin nën koordinimin e organizatës “Child and Youth Finance International (CYFI)”. Gjatë kësaj jave, do të organizohen aktivitete të cilat kanë për qëllim të mësojnë fëmijët se si të kujdesen për paratë, përfshirë kursimin dhe të ardhurat.

Shfaqja teatrore “Çufo dhe Tipi-Një aventurë me verdhushka” hapi siparin e këtyre aktiviteteve. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast në Teatrin e Kukullave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Seyhan Pencabligil. Qëllimi i këtij memorandumi është nxitja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në fushën e edukimit financiar. Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave janë angazhuar në edukimin financiar të publikut nëpërmjet aktiviteteve të shumta, publikimit të broshurave edukative, modulit me zgjedhje të lirë për nxënësit e shkollave të mesme “Financat personale në duart tuaja” si dhe paketës mësimore “1, 2, 3 … derrkuci Çufo mëson të kursejë”.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë e edukimit financiar të publikut dhe angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.

Kryetari i Shoqatës së Bankave, z. Pencabligil përmendi rëndësinë e përfshirjes së Shqipërisë në këtë lëvizje globale. “Shoqata është e lumtur të nënshkruajë Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili është formalizimi dhe dokumentimi i bashkëpunimit të Shoqatës Shqiptare të Bankave me Bankën e Shqipërisë, me qëllim promovimin e edukimit financiar tek fëmijët, të rinjtë dhe popullsisë në përgjithësi. Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, Shoqata angazhohet për aktivitete të mëtejshme në fushën e edukimit financiar.” tha ndër të tjerat z. Pencabligil në fjalën e tij.

Aktivitete të tjera të planifikuara në kuadër të Javës Globale të Parasë, janë mundësimi i vizitave të nxënësve në filialet e bankave tregtare në Tiranë dhe në rrethe, leksione në shkolla të mesme dhe universitete, shpërndarja e broshurave edukative, dhe konkursi për fëmijët e shkollave fillore me vizatime më temë “Paraja ime”, fituesit e të cilit do të përfitojnë çmime  të ofruara nga bankat tregtare.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Shoqata Shqiptare e Bankave bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë  në organizimin e disa aktiviteteteve. Java u hap me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në vijim të fushatave të ndërmarra për Edukimin Financiar, nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Fullani dhe Kryetari i Shoqatës së Bankave, Z. Seyhan Pencabligil. Gjatë javës përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave do të jenë të pranishëm në emisione televizive, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e këtyre aktiviteteve.

Aktivitetet e zhvilluara:

10-13 Mars / Vizita  të nxënësve në bankat tregëtare
Nxënësit e shkollave të mesme të cilët kanë zgjedhur modulin “Financat Personale në Duart Tuaja” do të vizitojnë disa degë të bankave tregtare në qytetin e Tiranës dhe në rrethe. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Fullani do të jetë i pranishëm në disa nga këto vizita.

10 – 17 Mars / Teatri i Kukullave për Fëmijë
Në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave do të vihet në skenë shfaqja teatrale edukative “Çufo dhe Tipi një histori me verdhushka”.

17 Mars / Seminare në shkolla
Dy seminare të drejtuara nga bankierë, do të organizohen në institucione arsimore të Tiranës me teme “Banka dhe Paraja”.

31 Mars / “Paraja ime”
Në datë 31 mars u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkursit me vizatime “Paraja ime”. Dhjetë nxënësit fitues u shpërblyen gjatë ceremonies me depozita bankare me shumë fillestare 10,000 lekë pranë Raiffeisen Bank.