AAB fton studentët të bëhen pjesë e konkursit kreativ “Bankieri je ti”

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bankave, më 4 dhjetor, Shoqata Shqiptare e Bankave fton studentët e universiteteve në Shqipëri të marrin pjesë në konkursin “Bankieri je ti”.

Pavarësisht fushës së studimit, imagjinoje veten në rolin e një bankieri dhe trego përmes një videoje origjinale si do ta interpretoje këtë profesion: nga marrëdhënia me klientët dhe vendimmarrja, te sfidat financiare, menaxhimi i rreziqeve dhe teknologjia.

Çfarë mund të trajtosh në video?

Ke mundësinë të sjellësh këndvështrimin tënd mbi rolin e bankierit dhe ndikimin e bankingut në jetën e përditshme, përmes një situate konkrete, një ideje inovative apo një skenari imagjinar. Mund të trajtosh marrëdhënien me klientët, mbështetjen për sipërmarrjen, sigurinë financiare, sfidat e teknologjisë apo mënyrën se si e imagjinon profesionin e bankierit në të ardhmen.

Nuk kërkohet përvojë apo njohuri paraprake në sektorin bankar. Mund të zgjedhësh humorin, animacionin, interpretimin e situatave reale apo skenarë imagjinarë. Çdo formë krijuese është e mirëpritur. Bankieri je ti. Ti e tregon historinë!

Si të marrësh pjesë?

  • Krijo një video origjinale me kohëzgjatje 90 – 120 sekonda.
  • Mund të marrësh pjesë individualisht ose në grup.
  • Dërgo videon në adresën secretariat@aab.al.org, së bashku me emrin dhe mbiemrin, universitetin, programin dhe vitin e studimit, numrin e kontaktit, titullin dhe një përshkrim të shkurtër të videos.
  • Skedarët e mëdhenj mund të dërgohen përmes Google Drive ose WeTransfer.

Afati i fundit për aplikim: 30 nëntor 2026.

Çmimet për tre videot më të mira:
Shoqata Shqiptare e Bankave do të shpërblejë tre videot më të mira me:

  • Vendi i parë: 80,000 lekë
  • Vendi i dytë: 50,000 lekë
  • Vendi i tretë: 30,000 lekë

Fituesit do të shpallen më 4 dhjetor 2026, në Ditën Ndërkombëtare të Bankave, gjatë një ceremonie të organizuar nga AAB.

Si do të vlerësohen videot?
Një juri me përfaqësues të AAB do të vlerësojë videot sipas kritereve të mëposhtme:

Kriteri  Pikët
Kreativiteti dhe origjinaliteti   30
Lidhja me temën e konkursit   25
Mesazhi dhe ndikimi   25
Cilësia e realizimit dhe komunikimi   20
Totali   100


Informacion shtesë mbi konkursin:

  • Konkursi është i hapur për studentët e universiteteve në Shqipëri.
  • Pjesëmarrja është falas.
  • Çdo student ose grup mund të paraqesë një video.
  • Videoja duhet të jetë origjinale dhe e krijuar posaçërisht për këtë konkurs.
  • Nuk lejohen përmbajtje fyese, diskriminuese apo reklamuese për produkte dhe shërbime specifike.
  • Pjesëmarrësit duhet të kenë siguruar të drejtat e përdorimit të muzikës dhe materialeve të përfshira.
  • Vendimi i jurisë është përfundimtar.
SHARE