Zhvillon punimet Forumi “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare”

Shoqata Shqiptare e Bankave së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës organizuan forumin “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare”, të mbështetur nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore. Forumi u zhvillua më 25 tetor 2023 në Prishtinë dhe u ndoq nga përfaqësues të bankave në Shqipëri dhe Kosovë.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve financiare, organizatave dhe institucioneve shtetërore është jetik në parandalimin e kërcënimeve kibernetike. Ky forum shërbeu si një platformë e shkëlqyer për të shkëmbyer informacione rreth kërcënimeve, dobësive dhe praktikave më të mira të mbrojtjes nga sulmet kibernetike mes dy vendeve. Ndërtimi i një rrjeti të fortë kontaktesh në fushën e sigurisë kibernetike është, midis të tjerash, ajo çka kërkohet tani për të rritur sigurinë në këtë fushë.
Në forum mori pjesë Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, i cili mbajti një fjalë përshëndetëse.
I organizuar në dy sesione, Forumi pati si qëllim shkëmbimin e ideve, njohurive dhe burimeve.
Paneli i parë diskutoi temën “Pajtueshmëria ligjore, rregullative dhe siguria kibernetike”. Diskutimi mbi kërkesat dhe standardet rregullative që lidhen me sigurinë kibernetike është pikë kyçe në forcimin e mbrojtjes së sektorit bankar nga kërcënimet kibernetike, prandaj paneli i parë i forumit diskutoi pikërisht për këto çështje. U theksua roli i transparencës dhe informimit, reflektimi në kuadrin ekzistues sipas direktivave të BE-së dhe forcimin e zbatimit të tyre.
“Forcimi i mbrojtjes kibernetike nëpërmjet bashkëpunimit dhe praktikave më të mira në industrinë bankare” u trajtua nga paneli i dytë i diskutimit. Të ftuarit në panel nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ekspertë të fushës, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve, njohjen me praktikat më të mira, ndarjen e eksperiencave, kërcënimet e sistemit dhe domosdoshmërinë e edukimit të publikut.
Forumi “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare” rezultoi një aktivitet i një rëndësie të veçantë për sektorin bankar, për rritjen e sigurisë, promovimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe të qëndruarit të informuar për peizazhin e kërcënimeve që po evoluon me shpejtësi. Duke punuar së bashku për të zhvilluar dhe zbatuar standarde të përbashkëta të sigurisë, jemi më të përgatitur për çdo rrezik kibernetik në botën e sotme digjitale.
GALLERY