
Në datën 8 maj 2023, Sekretari i Përgjithshëm i AAB-së, z. Spiro Brumbulli, së bashku me përfaqësues të Zyrës Ekzekutive, zhvilluan një vizitë pune në zyrat e Shoqatës së Bankave të Kosovës në Prishtinë.
Qëllimi i kësaj vizite ishte koordinimi i veprimtarive të përbashkëta në interes të sektorit bankar në Shqipëri dhe Kosovë si dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes dy palëve, si: zbatimi i iniciativave në fushat e edukimit financiar dhe sigurisë kibernetike, organizimi i fushatave ndërgjegjësuese, trajnimeve dhe veprimtarive të tjera.
Gjatë takimit të zhvilluar, delegacioni u njoh më në detaje me zhvillimet më të fundit të sektorit bankar në Kosovë, arritjet dhe sfidat me të cilat po përballet. Gjithashtu, u bisedua mbi mundësitë e shkëmbimit të informacionit dhe eksperiencave duke organizuar edhe takime të rregullta vjetore në nivele të komiteteve profesionale.