Zhvillohet mbledhja e pestë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave

02/10/2019

Në datën 1 tetor 2019, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua mbledhja e pestë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP). Mbledhja u drejtua nga Kryetarja e këtij Komiteti, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë. Në mbledhje morën pjesë anëtarët e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) dhe Kryetari i Komitetit të Sistemeve të Pagesave të AAB-së, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Banka Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtarë, përfaqësues nga bankat, institucioneve financiare jo banka, përfaqësues të operatorëve të skemave kombëtare të pagesave me kartë, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.

Aktiviteti nisi me fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj.

Kryetari i AAB-së, Z. Silvio Pedrazzi në fjalën e tij mbështeti zhvillimet e deritanishme dhe përmendi kontributin e sistemit bankar në çështjet e edukimit financiar, si dhe theksoi  domosdoshmërinë e implementimit të një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar të Publikut.

Në përfundim të mbledhjes, duke u bazuar në diskutimet e mbledhjes, Kryetarja e Komitetit rekomandoi krijimin e disa grupeve të punës, me qëllim marrjen e masave konkrete në lidhje me edukimin financiar, pagesat e qeverisë, si dhe pagesat me karta në tregun shqiptar. U organizua dhe një seksion i posaçëm, ku aktorë të ndryshëm të tregut prezantuan disa nga nismat më të fundit në tregun e pagesave.

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) u përfaqësua në këtë mbledhje nga z. Silvio Pedrazzi, Kryetari i AAB-së dhe CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe anëtar i KKSP, zj. Najada Xhaxha, Kryetare e Komitetit të Pagesave në AAB dhe anëtare e KKSP, dhe përfaqësues të bankave anëtare.

Foto