Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Zhvillimet në sektorin bankar – Statistikat e tremujorit të tretë 2016

AAB publikon të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e tretë të vitit 2016 sipas IFRS* dhe të dhënat e agreguara mbi sektorin për muajin shtator 2016 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Ky publikim vjen me një veçori, pasi Banka e Shqipërisë ka bërë ndryshime në metodologjinë e prodhimit të statistikave monetare dhe financiare duke zbatuar standardet e reja, më të përparuara (shiko njoftimin e Departamentit të Statistikës së Bakës së Shqipërisë “Publikimi i statistikave monetare dhe financiare sipas standardit të ri metodologjik”). Për këtë arsye, edhe formati në të cilat do të publikohen këtej e në vazhdim të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave, do të ndryshojë. Do të jenë tri tabela kryesore:

  1. Të dhëna të përgjithshme
  2. Huaja – Tregues përmbledhës
  3. Huaja – Të dhëna të detajuara

Të dhënat për muajin shtator tregojnë se aktivet e bankave arritën në 1,366 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 3.1%. Sektori bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me një raport të kredisë ndaj depozitave 53.3% nga 54.3% një vit më parë. Raporti i  mjaftueshmërisë së kapitalit është 15.6% nga 15.7% në fund të muajit dhjetor 2015.
Depozitat gjithsej arritën në 1,127 miliardë lekë me një rritje vjetore prej 3.3%, ku depozitat e bizneseve u rritën me 13.7% kundrejt rritjes së depozitave të individëve me 1.6%.

Teprica e kredisë prej 600 miliardë lekë është rritur me 2.5% në krahasim me dhjetorin 2015, ku ndikimin më të madh e jep rritja e huas për individë në masën 9%. Në krahasim me një vit më parë, teprica e kredisë paraqitet në rritje prej 1.4%, e ndikuar nga rritja e kredisë për individët me 8.7% dhe nga rënia e kredisë për bizneset prej 1.2%.

Huaja e re e dhënë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2016 është rreth 57.3 miliardë lekë ose 3.3% më shumë se gjatë të njëjtit tremujor në vitin e kaluar dhe rreth 15% më pak se tremujori i dytë i vitit rrjedhës. Në krahasim me tremujorin e dytë, korporatat jofinanciare private janë financuar me 9 miliardë lekë më pak, ku rënia më e madhe është në monedhën e vendit, me rreth 7.3 miliardë lekë. Ndërkohë që edhe huaja për individë dhe institucionet jo me qëllim fitimi që u shërbejnë individëve, ka pësuar rënie prej 10% në tremujorin e tretë në krahasim me tremujorin e dytë. Rënia më e fortë në huan e re për individë është për blerje banesash, në masën 16% në krahasim me tremujorin e dytë, në monedhën lek.

Nga pikëpamja e qëllimit të përdorimit të huas, muaji shtator shënon rritjen më të madhe të vitit për huan e dhënë për çelje biznesi (3.6 miliardë lekë). Në krahasim me dhjetorin 2015, huaja afatshkurtër (deri në 1 vit), paraqitet në rënie me 2.9%, huaja afatmesme është rritur me 2.2% dhe huaja me maturim afatgjatë është rritur me 1.9%.

Në tremujorin e tretë vihet re rritje e normës së interesit për huan në lekë. Kështu, norma e interesit për hua në lekë për korporatat jofinanciare private është rritur në 10.42% nga 8.86%  një muaj më parë. Por, brenda këtij grupi, sipas përdorimit të qëllimit të huas, ndryshimi i normës së interesit nuk është në të njëjtin trend. Kështu, norma e interesit për huan për çelje biznesi dhe për pasuri të paluajtshme është në rënie, kurse për overdraft dhe kapital qarkullues është në rritje. E njëjta karakteristikë vihet re edhe për huan për individët. Edhe pse norma për huan në lekë duket e rritur nga 6.89% një muaj më parë në 7.03% në shtator, për qëllime të veçanta, si për overdraft dhe të vetë punësuarit, norma e interesit është në rënie. Në rënie për huan për individët janë edhe interesat në monedhë të huaj.

Cilësia e portofolit të kredisë shënon një përkeqësim prej 0.72 pikë përqindje në krahasim me shtatorin 2015 dhe një përkeqësim me 1.3 pikë përqindje me qershorin e vitit rrjedhës. Niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit shtator arriti në 21.3%.

Rritja e huave me probleme dhe ambienti i normave të interesit pranë zeros kanë ndikuar në fitimin e sektorit bankar. Për nëntëmujorin, fitimi neto, sipas standardit të raportimeve në Bankën e Shqipërisë, rezulton 6.5 miliardë lekë ose 44% më i ulët se sa ai i shtatorit 2015. Ndërkohë që madhësia e kapitalit të sektorit bankar është rritur me 8.8% (ose 10.7 miliardë lekë) në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

* Këto të dhëna janë përgatitur nga bankat sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS)

Statistikat monetare dhe financiare sipas standardit te ri PDF