AAB publikon të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e dytë të vitit 2016 sipas IFRS* dhe të dhënat e agreguara mbi sektorin për muajin qershor 2016 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Sipas të dhënave për muajin qershor, totali i aktiveve të bankave tregtare arriti në 1,330 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 1.3%. Sektori bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me një raport të kredisë ndaj depozitave 54.3% nga 53.1% në fund të marsit të këtij viti dhe 55.4% një vit më parë. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është 16.1% nga 15.7% në fund të muajit dhjetor 2015.
Totali i depozitave të vendosura pranë bankave arriti në 1,100 miliardë lekë me një rritje vjetore prej 1.9%, ku depozitat e bizneseve u rritën me 6.6% kundrejt rritjes së depozitave të individëve me 1.2%.
Teprica e kredisë prej 598 miliardë lekë është pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë, duke frenuar trendin zbritës të tremujorit të parë të këtij viti. Kurse në krahasim me fundin e vitit 2015 teprica e kredisë paraqitet në rritje prej 2%, e ndikuar nga rritja e kredisë për individët me 3.1% dhe nga rritja e kredisë për bizneset prej 1.54%.
Kredia e re e dhënë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016 është rreth 68.6 miliardë lekë ose 10.5% më shumë se gjatë të njëjtit tremujor në vitin e kaluar. Në krahasim me një vit më parë, vihet re një rritje më e mirë e biznesit të madh në monedhën në lekë për hua afatgjatë. Nga pikëpamja e qëllimit të përdorimit të huas, ka rritje për makineri e pajisje prej 3.4% në krahasim me një vit më parë dhe kredia konsumatore për individë është rritur me 17% në krahasim me një vit më parë. Huaja për pasuri të paluajtshme për biznesin, overdrafti për individët dhe hua për aktivitet biznesi nga individët janë në ulje në krahasim me një vit më parë. Huaja me maturim deri në 3 muaj paraqitet në rënie në krahasim me një vit më parë, kurse huaja me maturim afatgjatë është në rritje.
Në tremujorin e dytë vihen re ulje të normës së interesit për hua. Kështu, norma e interesit për hua në lekë për biznes është ulur mesatarisht në 7.51% nga 8.19% një vit më parë; norma e interesit për hua në euro po për biznes është ulur mesatarisht në 5.52% nga 6.14% një vit më parë. Ulje më të ndjeshme kanë normat e interesit për hua për individët. Kështu, norma e interesit për hua në lekë është ulur mesatarisht në 6.92% nga 8.93% një vit më parë; në euro norma e interesit është ulur mesatarisht në 4.46% nga 5.31% një vit më parë.
Cilësia e portofolit të kredisë shënon një përkeqësim prej 0.7 pikë përqindje në krahasim me marsin 2016 dhe një përmirësim me 0.9 pikë përqindje me një vit më parë. Huat me probleme janë ulur në 58 miliardë lekë nga 63 miliardë lekë një vit më parë. Niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit qershor arriti në 20%.
Ulja e normave të interesit për shkak të politikës monetare lehtësuese si për monedhën vendase, ashtu edhe për monedhat e huaja, ka ndikuar në fitimin e sektorit bankar. Për gjashtëmujorin e parë fitimi neto, sipas standardit të raportimeve në Bankën e Shqipërisë, rezulton 5 miliardë lekë ose 39% më i ulët se sa ai i qershorit 2015.
*Këto të dhëna janë përgatitur nga bankat sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS)