Më 25 mars 2021, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), organizoi për të tretën herë Kuizin Evropian të Parasë me pjesëmarrjen e 360 nxënësve të klasave të 9-ta nga i gjithë vendi. Këtë vit konkursi u realizua online dhe pjesëmarrësit konkurruan në bazë ekipore të organizuar nëpërmjet platformës online Kahoot! dhe u shfaq Livestream në kanalin YouTube të AAB-së.
Ky konkurs është kthyer në një nismë të përvitshme me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të moshave të reja.
Ekipi fitues është nga shkolla 9-vjeçare “Sotir Gurra” në Korçë dhe përbëhet nga nxënësit: Pandush Kosta dhe Anastasia Myftarlli .
Skuadra fituese do të konkurrojë duke përfaqësuar Shqipërinë për herë të tretë në finalen Evropiane të Kuizit të Parasë, që do të zhvillohet online më 20 prill 2021.
Ekipi fitues i vendit të dytë është nga shkolla 9-vjeçare “Turgut Ozal” në Durrës dhe përbëhet nga: Irjan Kulici dhe Enid Reka.
Ekipi fitues i vendit të tretë është nga shkolla 9-vjeçare “Imelda Lambertini” në Elbasan dhe përbëhet nga: Erlindjon Kulla dhe Kevin Eminaj.
Një falënderim të veçantë për mësueset Mitiana Trungu, Sidorela Capa, Jugerta Kabashi, të cilat mundësuan organizimin dhe përgatitjen e skuadrave fituese.
Fituesit e 3 vendeve të para të konkursit do të vlerësohen me çmimet e mundësuara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, si më poshtë:
– Vendi i parë – 40,000 lekë dhe pjesëmarrje online në finalen evropiane të kuizit
– Vendi i dytë – 30,000 lekë
– Vendi i tretë – 20,000 lekë
Përveç kësaj, Banka e Shqipërisë do të vlerësojë mësueset e skuadrave fituese me dhurata simbolike.
Falënderojmë të gjithë nxënësit dhe mësuesit të angazhuar në realizimin e këtij konkursi!