2024
3 korrik 2024 – Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung for International Cooperation (DISK) Albania, organizoi një seminar me temë “ESG Risk Radar: Një mjet për menaxhimin e rrezikut klimatik për bankat”. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues nga nëntë banka, të cilët u mblodhën për të diskutuar mbi mjetet dhe strategjitë më të fundit në menaxhimin e rrezikut klimatik.
Znj. Violeta Haxhillazi, një eksperte e trajnuar nga German Sparkassenstiftung, drejtoi seminarin dhe ndau me pjesëmarrësit njohuritë e saj mbi rëndësinë e përdorimit të mjeteve Risk Radar dhe Green Finance Compass. Ajo theksoi prakticitetin dhe efektivitetin e këtyre mjeteve në menaxhimin e rreziqeve klimatike, duke u mundësuar pjesëmarrësve njohuri të vlefshme për integrimin e tyre në praktikat e menaxhimit të rrezikut.
Ky seminar gjithashtu shënoi përvjetorin e parë të miratimit të Strategjisë së Gjelbër të Bankës së Shqipërisë. Znj. Margerita Topalli, ekonomiste e nivelit të lartë, në Departamentin e Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, informoi pjesëmarrësit mbi përparimet e bëra në zbatimin e strategjisë së gjelbër, duke theksuar përditësimet kryesore, mësimet e nxjerra dhe hapat e ardhshëm. Ajo nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së politikave financiare me objektivat mjedisore për të arritur një rritje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë dhe për të siguruar stabilitet financiar përballë rreziqeve klimatike. Pjesëmarrësit ranë dakord që të vijojnë trajnimet, seminaret dhe tryezat e diskutimit mbi financat e gjelbra.
AAB dhe DISK Albania janë të angazhuara për promovimin e financave të qëndrueshme dhe pajisjen e bankave me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për të adresuar sfidat e menaxhimit të rrezikut klimatik.
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi një seminar mbi Tregun Evropian të Pagesave dhe eksperiencën në Hungari, sjellë për audiencën nga kompania Capsys Informatics. Mbajtur më 23 janar 2024, veprimtaria kishte për qëllim të bashkonte ekspertët nga bankat anëtare për të diskutuar zhvillimet në fushën e pagesave dhe konkretisht të pagesave të menjëhershme (instant payments).
Sekretari i Përgjithshëm i AAB-së, z. Spiro Brumbulli, përshëndeti të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e projektit të zbatimit të pagesave të menjëhershme (instant payment) si alternative me kosto më të ulët se mënyrat e tjera aktuale të pagesave. Ky seminar shënon fillimin e rrugëtimit të projektit të pagesave të menjëhershme – një projekt prioritar për dy vitet e ardhshme për Bankën e Shqipërisë.
Prezantuesit nga Capsys Informatics përcollën njohuritë e tyre mbi zbatimin e shërbimeve të pagesave të menjëhershme dhe pozicionin unik të Hungarisë si i vetmi vend në Evropë që ofron shërbime pagese të menjëhershme për të gjithë. Për më tepër, ata njohën audiencën me risitë që shoqëria sjell në fushën e pagesave, si projektin IP 1.0, projektin Capsys R&D, skenarët e pagesave, teknologjitë e transmetimit dhe Zgjidhjen Smart Payment Capsys me hyrje të unifikuar të të dhënave. Pjesë e prezantimit ishte dhe projekti IP 2.0, duke mbuluar elementet rregullatorë, rrjedhën e pagesave, skemën e shkëmbimit, kthimin e tarifave dhe menaxhimin e mashtrimit në mjedisin e menjëhershëm, duke përfshirë pjesëmarrësit në një sesion interaktiv pyetjesh dhe përgjigjesh.