2025

AAB mori pjesë në tryezën e diskutimit “Sfidat e Financimit të Teknologjisë Bujqësore: Përshtatje Transformuese përballë Zhvillimeve Sociale dhe Sfidave të Klimës”, organizuar nga REC Shqipëri në bashkëpunim me aktorët kryesorë të sektorit financiar dhe atë të siguruesve.

Diskutimet u fokusuan në rolin e institucioneve financiare në mbështetjen e fermerëve përmes produkteve të përshtatura për investime në teknologji novatore, të cilat ndihmojnë në përshtatjen dhe zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, si dhe në rritjen e eficencës bujqësore. Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit midis politikave shtetërore, produkteve financiare, dhe komuniteteve të fermerëve për të rritur ndikimin e fondeve të dedikuara për sektorin.

Gjatë tryezës, u theksua roli thelbësor i sektorit bankar në nxitjen e investimeve bujqësore përmes produkteve financiare më të specializuara dhe më të aksesueshme për fermerët. Bankat sollën në vëmendje sfidat që hasen në terren, rëndësinë e vlerësimit të riskut, nevojën për informacion më të mirë financiar dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të instrumenteve të qëndrueshme financimi që mbështesin adoptimin e teknologjive të reja.

REC Shqipëri prezantoi gjithashtu gjetjet e nismës “Zgjidhjet Afrojnë Fermerët”, e cila gjatë dy viteve ka sjellë te grupet e fermerëve teknologji si sistemet vaditëse me energji diellore dhe makineritë grirëse të biomasës, duke treguar mundësitë që krijohen kur financimi kombinohet me inovacionin.

Në takim u nënvizua edhe domosdoshmëria për edukim financiar më të thelluar për fermerët, si edhe për skema sigurimi më efektive për prodhimin dhe asetet bujqësore, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së investimeve dhe uljen e riskut për sektorin bankar.

Tiranë, 26 shkurt 2025 – McKinsey & Company, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB), organizuan Tryezën e Rrumbullakët mbi Bankingun, një veprimtari që mblodhi së bashku drejtues të lartë të sektorit bankar  për të diskutuar mbi zhvillimet dhe sfidat kryesore të industrisë.

Në fokus të diskutimeve ishin gjetjet e “Global Banking Annual Report 2024”, i cili ofroi informacion rrerh tendencave globale, prioriteteve strategjike dhe praktikave më të mira nga institucionet financiare lider në industri. Një nga çështjet kryesore që u trajtua ishte diferenca në rritje midis bankave në adoptimin e bankingut mobile dhe ndikimi i tij në rritjen e biznesit, efikasitetin operativ dhe përvojën e klientit. Gjithashtu, u diskutuan edhe ndryshimet në sektorin financiar që po ndikojnë në të ardhmen e bankingut në Shqipëri.

Takimi krijoi një hapësirë për një dialog të hapur mbi sfidat dhe mundësitë e industrisë, duke nxitur reflektimin mbi rrugët që bankat mund të ndjekin për t’u përshtatur dhe për të përparuar në një mjedis financiar gjithnjë e më dinamik.