Tetori – Muaji i Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike: AAB zhvillon leksione të hapura për studentët

Përgjatë Tetorit – Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi një seri leksionesh të hapura në bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë në Shqipëri, përfshirë Universitetin Metropolitan, Universitetin Western Balkans dhe Universitetin Epoka. Leksionet synuan të rrisin ndërgjegjësimin e të rinjve mbi kërcënimet digjitale dhe të promovojnë praktika të sigurta për menaxhimin e informacionit dhe të financave personale.
Gjatë aktiviteteve u trajtuan tema kyçe, duke përfshirë llojet më të zakonshme të sulmeve kibernetike në sektorin bankar dhe përdorimin e përditshëm të internetit, rëndësinë e politikave të brendshme të sigurisë dhe menaxhimin efektiv të incidenteve, praktikat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe financiare, si dhe rolin e përgjegjësisë individuale dhe ndërgjegjësimit të përdoruesve në reduktimin e riskut kibernetik.
Në Universitetin Metropolitan, rreth 80 studentë të programeve Inxhinieri Kompjuterike dhe Inxhinieri Software ndoqën prezantimin interaktiv të z. Ermal Galo, anëtar i Komitetit të Gatishmërisë për Emergjencat Kibernetike pranë AAB dhe Menaxher i Sigurisë së Informacionit në Union Bank. Ai diskutoi rëndësinë e sigurisë së informacionit dhe praktikat më të mira për mbrojtjen e të dhënave personale dhe financiare, duke ofruar shembuj të përdorshëm për përdorimin e përditshëm të internetit.
Universiteti Western Balkans angazhoi rreth 120 studentë të programeve Shkenca Kompjuterike, Siguri Kibernetike dhe Mjekësi, ku z. Fatjon Muça, anëtar i Komitetit të Gatishmërisë për Emergjencat Kibernetike dhe Drejtor i Departamentit të Sigurisë Kibernetike pranë FIBank Albania, ndau përvoja praktike mbi sulmet kibernetike më të zakonshme, mënyrat e zbulimit të hershëm të kërcënimeve dhe rëndësinë e reagimit të koordinuar ndaj incidenteve. Ai theksoi gjithashtu se ndërgjegjësimi i përdoruesve dhe përgjegjësia individuale janë thelbësore për uljen e riskut kibernetik.
Folës në Universitetin Epoka ishin z. Reglendi Xhango, Kryetar i Komitetit të Gatishmërisë për Emergjencat Kibernetike pranë AAB dhe Drejtor i Departamentit të Sigurisë në Bankën OTP, dhe znj. Entela Prifti, anëtare e të njëjtit komitet dhe Drejtuese e Divizionit të Sigurisë në Raiffeisen Bank, të cilët ndanë përvoja profesionale mbi rreziqet që kërcënojnë sektorin financiar. Prezantimi i tyre u ndoq nga rreth 70 studentë të programeve master në Fintech, Financë–Bankë dhe Ekonomiks.
Studentët e të tri universiteteve morën pjesë aktive në diskutime mbi raste konkrete, duke treguar interes të lartë për sfidat dhe zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë kibernetike dhe edukimin financiar.





