Më datë 19 prill 2016, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), Z. Spiro Brumbulli, zhvilloi një takim të veçantë në ambjentet e AAB-së, me përfaqësuesin e Agjencisë për Transferim të Teknologjisë Financiare (ATTF), Luksemburg, Z. Ben Lyon.
Gjatë takimit, Z. Brumbulli rikonfirmoi bashkëpunimin shumë konstruktiv me Shqipërinë, nëpërmjet AAB-së, i nisur prej dy vitesh tashmë dhe i përqendruar kryesisht në organizimin e seminareve teknike të nivelit të lartë, si dhe transferimin e njohurive teknike për sektorin financiar shqiptar.
Qëllimi i vizitës së Z. Lyon, ishte njohja e mëtejshme me nevojat e sektorit në Shqipëri dhe mundësitë për të rritur efikasitetin e bashkëpunimit. Gjithashtu, gjatë vizitës në Shqipëri, Z. Lyon zhvilloi një takim me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë.
Agjencia për Transferim të Teknologjisë Financiare (ATTF) i është bashkuar “House of Training” më datë 1 janar 2016 dhe i ofron vendeve partnere asistencë teknike në çështjet financiare me mbështetjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut (Ministria e Financave). AAB është organi përfaqësues në Shqipëri.
Gjatë muajve në vijim AAB do të organizojë tri programe trajnimi me mbështetjen dhe ekspertizën e ATTF.