Takim i Bordit Mbikëqyrës me Komitetin e Burimeve Njerëzore

Në datën 7 mars 2023, Bordi Mbikëqyrës i AAB-së organizoi një takim diskutimi me anëtarët e Komitetit të Burimeve Njerëzore. Të pranishmit patën mundësinë të diskutojnë mbi sfidat që përballet sektori dhe të shkëmbejnë ide për të maksimizuar efikasitetin e burimeve njerëzore dhe rritjen e kapaciteteve të reja, si një domosdoshmëri në situatën aktuale.

Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e bankave ndanë shqetësimet e tyre lidhur me ndikimin e mëtejshëm në sektor të fenomeneve sociale-ekonomike që po përballet shoqëria shqiptare, si emigrimi i kapitalit njerëzor, largimi i studentëve të ekselencës, sistemi arsimor, etj. Për më tepër, zhvillimi i teknologjisë ka sjellë sfida të reja për sektorin e burimeve njerëzore. Dhe përballë këtyre ndryshimeve lind nevoja për bankat për t’u përshtatur dhe treguar më fleksibël.

Pjesëmarrësit diskutuan edhe për trajnimet, si një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së AAB, duke trajtuar çështje dhe shkëmbyer ide mbi bashkëpunimin mes anëtarëve në mënyrë që të sigurohet trajnim efikas dhe cilësor për stafet e bankave.

SHARE