Takim me Ministren Denaj

28/08/2019

Në datën 28 gusht 2019, përfaqësues të industrisë bankare zhvilluan një takim me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, zonjën Anila Denaj, në kuadër të konsultimit publik të projekt ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Industria bankare mbështet plotësisht iniciativën e ndërmarrë nga ministria për fiskalizimin në luftë me informalitetin dhe për regjistrimin në kohë reale të transaksioneve tregtare. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e sektorit bankar ngritë shqetësimin në lidhje me përcaktimin qartë në këtë projekt ligj të rolit të bankave, duke mbështetur sa parashikohet në nenin 39. Në takim u theksua se ky projekt ligj nuk ndryshon politikat e deritanishme fiskale dhe statusin që kanë subjektet në lidhje me lëshimin e faturave. Ai shërben për të instaluar një sistem pasqyrimi, raportimi dhe kontrolli të transaksioneve që ndodhin nga biznesi te individi, te biznesi apo dhe te sektori publik në kohë reale. Sqarimet në lidhje me këtë pikë, si edhe për disa detaje të tjera teknike, e bënë takimin frytdhënës dhe diskutimin në dobi të përmirësimit të projekt ligjit në interes të të gjitha palëve.

 

 

 

Foto