Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizon Darkën Vjetore

Më 11 shkurt 2020, AAB organizoi Darkën Vjetore, aktivitetin e vetë tradicional të përfundimit të një viti financiar dhe përgatitjes për një vit tjetër, ku morën pjesë drejtorë të përgjithshëm të bankave anëtare, të ftuar të veçantë nga Banka e Shqipërisë Guvernatori, Zëvendës Guvernator i Parë dhe Zëvendës Guvernator i Dytë, Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe drejtorë të tjerë.

Të pranishmit u përshëndetën nga Kryetari i AAB-së, z. Silvio Pedrazzi dhe nga Guvernatori, z. Gent Sejko.

Në fjalën e tij z. Silvio Pedrazzi u shpreh se viti 2019 rezultoi një vit i suksesshëm për industrinë bankare dhe shënoi përmirësim në cilësinë e portofolit të kredisë. Bankat treguan solidaritet  të plotë për përballimin e pasojave të tërmetit. Falë përpjekjeve të përbashkëta të bankave dhe AAB-së, industria bankare rezulton sektori më besueshëm në vend. Z. Pedrazzi shprehu gatishmërinë e bankave për t’u përballur me sfidat e reja.

Gjatë fjalës Guvernatori Sejko përcolli disa nga momente kyçe të vitit 2019, ku sistemi bankar e ai financiar në tërësi kanë dhënë kontributin e tyre, si dhe disa orientime kryesore për vitin 2020. Ai u ndal në situatën e përgjithshme ekonomike të vendit dhe  theksoi përfshirjen financiare të popullatës si një nga prioritetet e rëndësishme të momentit. Z. Sejko konfirmoi qëndrueshmërinë e sektorit bankar shqiptar në vitin 2019. Ai garantoi vëmendjen dhe mbështetjen maksimale që autoriteti mbikëqyrës tregon, jo vetëm si autoritet rregullator, por dhe si një partner luajal, mbështetës dhe serioz, në funksion të qëllimit të përbashkët, për një treg të zhvilluar që ofron mundësi tërheqëse për investitorët, për stabilitet financiar dhe një konkurrencë të drejtë që respekton të drejtat e konsumatorit.

Në emër të AAB-së, Kryetari, z. Silvio Pedrazzi, bëri një përshëndetje të veçantë për z. Gazmend Kadriu , me rastin e përfundimit të detyrës së tij si Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank.

Darka kaloi mes një atmosfere të ngrohtë dhe miqësore.