Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) feston 20-vjetorin e themelimit

13/05/2019

E krijuar 20 vite më parë (mars 1999), AAB promovon standardet më të fundit bankare të anëtarëve të saj, zhvillimin, stabilitetin dhe efektshmërinë e sektorit bankar shqiptar në përgjithësi, dhe në partneritet me aktorët e sektorit publik dhe privat, kontribuon për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të diskutuar çështjet kyçe të industrisë, si dhe përcaktimin e strategjive të përbashkëta për sektorin financiar shqiptar.

Më datë 13 Maj, Shoqata Shqiptare e Bankave organizoi ceremoninë e festimeve të 20-vjetorit të themelimit të saj. Në ceremoni morën pjesë personalitete të ndryshme me kontribut në sektorin bankar, përfaqësues nga ministri të ndryshme, Banka e Shqipërisë, Banka Botërore, UNDP, BERZH, Banka Evropiane e Investimeve, Federata Evropiane Bankare, institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqatat e bankave të rajonit, përfaqësues të organizatave jo-fitimprurëse, nga universitetet dhe media. Të pranishëm Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj Anila Denaj, dhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrësve Eduart Shalsi. Këtë përvjetor e nderuan dhe përfaqësues të organizatave të huaja, partnere, me të cilat AAB bashkëpunon ndër vite.

Z. Silvio Pedrazzi, Kryetar i AAB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe falënderoi për pjesëmarrjen në këtë organizim. Në vijim, u mbajtën fjalë përshëndetëse nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, znj. Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, dhe z. Istvan Lengyel, Sekretar i Përgjithshëm, Banking Association for Central and Eastern Europe (BACEE), i cili i dhuroi AAB-së një diplomë në emër të BACEE për bashkëpunimin.

Ministrja Denaj në fjalën e saj vlerësoi kontributin e çmuar të sistemi bankar në Shqipëri në rritjen ekonomike, duke qenë një mjet i rëndësishëm i nxitjes së kursimeve të shqiptarëve, por edhe rritjes së ekonomisë së vendit nëpërmjet kreditimit. Ministrja vuri theksin në domosdoshmërinë e kthimit të kreditim të nivelin e pritshëm, pasi “fuqizimi i kreditimit është një domosdoshmëri jo vetëm për zhvillimin ekonomik e të qëndrueshëm të vendit, por është edhe një aktivitet bazë i rëndësishëm për vetë bankat”.

Mbrëmja vijoi nën një atmosferë festive me muzikë dhe përshëndetje mes të ftuarve.

Foto