Takim diskutimi i Guvernatorit Sejko me sektorin bankar me temë “Sektori bankar si kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”

05/06/2019

Në datën 29 maj 2019, në mjediset e Bankës Shqipërisë u zhvillua takimi me temë: “Sektori bankar si kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”. Në këtë takim, të organizuar me iniciativën dhe nën drejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, morën pjesë drejtues të Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesit ekzekutivë më të lartë të bankave tregtare (drejtorë të përgjithshëm dhe zëvendësit e tyre), si dhe përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko u shpreh se nëpërmjet këtij takimi synohet të arrihet hartimi i një plani konkret masash për përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së kreditimit, si dhe të zgjerohet gama e produkteve financiare. Një tjetër rol i rëndësishëm i sektorit bankar është sigurimi i shërbimeve të pagesave në ekonomi. Në këtë aspekt, për të përmirësuar tregun e pagesave me vlerë të vogël, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, me miratimin e të cilit do të krijohen kushtet për promovimin e risive teknologjike, duke nxitur prezantimin e instrumenteve më efikase, më të shpejta dhe me kosto më të ulët, të cilat do të rrisin konkurrencën në treg, si dhe do të sigurojnë transparencë dhe mbi të gjitha mbrojtje për konsumatorin.

Në fjalën e tij, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi, u shpreh se sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm dhe likuid, një parakusht i plotë ky për kreditimin cilësor të ekonomisë. Z. Pedrazzi u bëri thirrje bizneseve që të paraqesin projekte të reja për financim, projekte të cilat gjenerojnë rritje të punësimit në ekonomi. Në përfundim, ai shprehu angazhimin e sektorit bankar për të kontribuuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.

 

Më tej, takimi vijoi me dy prezantime specifike “A mund të bëhet më shumë për rritjen e kreditimit dhe si?” dhe “Modernizimi i sistemeve të pagesave”, të cilat u ndoqën nga diskutime aktive të të pranishmëve mbi temat e prezantuara dhe çështjet e ngritura gjatë prezantimeve.

Në mbyllje të tij, takimi u vlerësua shumë frytdhënës nga të gjithë pjesëmarrësit, të cilët shprehën angazhimin e tyre për ta çuar më tej këtë përpjekje të përbashkët, duke bashkëpunuar për hartimin e një plani masash bazuar mbi konkluzionet e arritura në këtë takim.

Fjala e Guvernatorit Sejko

Fjala e Kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi