Rritja e yield-eve, efekt negativ prej 6.2 miliardë Lekësh në bilancin e bankave*

Rritja e shpejtë e yield-eve të instrumenteve financiare ka sjellë humbje të konsiderueshme për bankat tregtare në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, rezultati nga instrumentet financiare ka rezultuar negative në vlerën e 6.2 miliardë Lekëve, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë kishte qenë pozitiv në vlerën e 1.1 miliardë Lekëve. Rezultati nga instrumentet financiare ka prekur vlerën më negative që prej vitit 2018.

Rritja e inflacionit është reflektuar në një pritshmëri për shtrenjtim të normave të interesit dhe rritje të yield-eve në tregjet ndërkombëtare që prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Për instrumentet në Lekë, efekt kanë filluar të ndihen sidomos në tremujorin e dytë të vitit, pasi edhe Banka e Shqipërisë nisi rritjen e normave të interesit. Rritja e yield-eve ndikon në zhvlerësimin e instrumenteve financiare të mbajtura për shitje nga bankat tregtare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, letrat me vlerë përbëjnë afërsisht 33% të aktiveve totale të sektorit bankar shqiptar.

Sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë, fitimi neto i sektorit bankar për 6-mujorin 2022 kishte vlerën e 6.5 miliardë Lekëve, në rënie me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit tyë kaluar. Efektin kryesor në tkurrjen e ndjeshme të fitimeve e ka dhënë pikërisht rezultati negativ nga instrumentet financiare.

Me përjashtim të instrumenteve financiare, në zërat e tjerë performanca e sektorit bankar ka rezultuar pozitive. Të ardhurat neto nga interesat arritën vlerën e 24.7 miliardë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga komisionet arritën në 7.2 miliardë Lekë, në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, shpenzimet për të provigjionuar kreditë e humbura ishin afërsisht 1.25 miliardë Lekë, pothuajse në të njëjtën vlerë me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Raporti i kredive me probleme në fund të muajit qershor shënoi një rënie të lehtë në 5.32%, nga 5.44% që kishte qenë në muajin maj dhe 7.12% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por, nga ana tjetër bankat rritën edhe shpenzimet e tjera të veprimtarisë me 10%. Me sa duket, efekti i inflacionit ka filluar të reflektohet në shpenzime më të larta të aktivitetit të sektorit. Në veçanti, edhe zëri i shpenzimeve për personelin u rrit me 10%, element që ndoshta tregon presione për rritjen e pagave në sektorin bankar. Këto presione mund të jenë më domethënëse në pozicionet e ulëta, ku sektori ka nisur të përballet me problematikën e sigurimit dhe mbajtjes së fuqisë punëtore. /E.Shehu

Burimi: BSH

*Marrë nga ‘Revista Monitor’ .  https://www.monitor.al/rritja-e-yield-eve-efekt-negativ-prej-6-2-miliarde-lekesh-ne-bilancin-e-bankave/

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.