Historiku
Megjithëqë përpjekjet e para për monedhën, pagesat dhe bankat datojnë që në fillim të shekullit XIX, në fakt, vetëm nga fundi i këtij shekulli dhe fillimi i shekullit XX filluan veprimtarinë e tyre institucionet e para bankare me hapjen e degëve të Bankës Agrare (Bujqësore) Turke dhe të Bankës Kombëtare (Perandorake) Otomane. Në fillimin e shekullit XX shfaqen idetë për krijimin e një banke në Shqipëri, ku përveç ideve të rilindësve tanë, shfaqen dhe projektet e para. Natyrisht, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë u shtua shumë interesimi jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i të huajve për ngritjen e institucioneve bankare. Përpjekjet më serioze u bënë nga qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, me një projekt koncesionar për të huajt që rezultoi në ngritjen e bankës së parë në Shqipëri, megjithëse jetëshkurtër.
Me interes të veçantë është projekti i krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, një projekt që zë fill në vitin 1922, kur qeveria shqiptare iu drejtua Lidhjes së Kombeve për vlerësimin e mundësive për investime të huaja në Shqipëri, me përfundimet e raportit ku propozohej krijimi i një banke, me dërgimin e ekspertëve të huaj për ngritjen e bankës dhe që mbaron me marrëveshjen përkatëse dhe me fillimin e funksionimit të kësaj banke në vitin 1925. Po interes të veçantë, paraqesin edhe faktet rreth veprimtarisë së kësaj banke deri në vitin 1944.
Por, pas Pavarësisë, deri në vitin 1944, në Shqipëri kanë funksionuar edhe disa institucione të tjera bankare. Shumë nga këto institucione kontrolloheshin vetëm nga kapitali i huaj, të tjerat nga kapitali i huaj dhe ai vendas.
Përgjatë periudhës 1944 deri në vitin 1991 banka me e rëndësishme në vend ishte Banka e Shtetit Shqiptar. Ajo ishte bankë e shtetit (bankë qendrore), por edhe bankë tregtare. Fillimisht kjo bankë ka pasur monopolin e kreditimit e të pagesave në Shqipëri, por shkallë-shkallë në përputhje me fazat e zhvillimeve ekonomike ky monopol iu hoq dhe disa nga veprimtaritë e saj iu kaluan bankave të tjera, si për shembull Bankës Bujqësore. Depozitimi nga popullsia i kursimeve të lira ishte një funksion monopol i Institutit të Arkave të Kursimit dhe të Sigurimeve. Ndërsa Banka Bujqësore gëzonte monopolin e kreditimit të ndërmarrjeve dhe të kooperativave bujqësore. Lidhjet ndërmjet këtyre institucioneve bankare ishin shumë të forta e të kushtëzuara. Depozitat e popullsisë në Institutin e Arkave të Kursimit e të Sigurimeve përdoreshin nga Banka e Shtetit Shqiptar dhe Banka Bujqësore për kreditimin e klientëve të tyre. Instituti i Arkave të Kursimit dhe të Sigurimeve nuk kreditonte ekonominë, kurse dy bankat e tjera nuk grumbullonin depozita nga popullsia.
Sektori bankar në Shqipëri pas vitit 1991 dallohet për një hyrje shkallë-shkallë, por të konsiderueshme të bankave me kapital të huaj nga vende të ndryshme evropiane dhe vende të tjera, duke filluar me banka që hynë në tregun shqiptar nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme, me banka që u futën nëpërmjet një procesi të pastër licencimi dhe me banka që u krijuan me kapital privat shqiptar.
Bazuar në fakte të kësaj periudhe, ecuria e sistemit bankar mund të grupohet lidhur me tre momente: a) krijimi i bankave të mirëfillta tregtare; b) zhvillimi i bankave pas rënies së firmave piramidale dhe c) zhvillimi i bankave pas nisjes së procesit të privatizimit të bankave shtetërore.
Nga Prof Assoc Dr Orfea Dhuci
Marrë nga libri “Vështrim historik i bankave në Shqipëri”, botim i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Nëntor 2012