
Bledar SHELLA
Kryetar
Drejtor i Përgjithshëm, Banka OTP Albania
Z. Bledar Shella është Drejtor i Përgjithshëm / Kryetar i Bordit të Manaxhimit në Bankën OTP Albania që prej muajit Dhjetor të vitit 2018. Atij i ‘u besua drejtimi i OTP Bank Albania, pas një eksperience të gjatë në funksione drejtuese në Bankën Societe Generale Albania. Për një periudhë 7 vjeçare Z. Shella ka drejtuar Departamentin e Menaxhimit të Riskut e më pas, në vitin 2015 ai u zgjodh Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Divizionit Retail në Bankën Societe Generale Albania. Përpara se të bashkohej me Bankën Societe Generale Albania, Z. Shella ka mbuluar pozicionin e Zv. Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes dhe Drejtor i Inspektimeve të Bankës së Shqipërisë, bankë në të cilën ka nisur karrierën e tij në Tetor të vitit 2000 në Administrimin e Rezervës Valutore, pranë Departamentit të Operacioneve Monetare.
Krahas angazhimit në Sektorin Bankar ai ka dhënë kontributin e tij në fushën akademike si Lektor pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës si dhe në Programin Master pranë Universitetit Evropian të Tiranës.
Z. Shella është anëtar Bordi i Shoqatës së Investitorëve të huaj në Shqipëri (FIAA) si dhe pjesë e Asamblesë së Shoqatës së Bankave të Shqipërisë (AAB).
Z. Shella është diplomuar në Financë dhe Kontabilitet pranë Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës dhe mban titullin Analist Financiar i Çertifikuar nga Instituti Ndërkombëtar i Profesionistëve, Chartered Financial Analyst (CFA) ne Charlottesville, SHBA. Ai zotëron tre gjuhë të huaja Anglisht, Italisht dhe Frëngjisht.

Seyhan PENCABLIGIL
Zëvendës Kryetar
Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)
Z. Seyhan Pencablıgil, i laureuar si B.A. në Administrim Biznesi dhe si M.A. në Menaxhim të Përgjithshëm nga Universiteti i Bosforit në Turqi dhe M.Sc. në Financë nga Universiteti i Lancaster në Mbretërinë e Bashkuar, ka kryer studimet e doktoratës për Filozofi pranë Universitetit të Sofies në Bullgari. Z. Pencablıgil është Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i BKT-ës që prej Tetorit të vitit 2000, Kryetar Nderi i Komitetit Kombëtar në Dhomën Ndëkombëtare të Tregtisë – ICC Albania, Kryetar i “Albania Leasing Sh.a.”, dhe Anëtar Alternativ i Bordit të Drejtorëve të Institutit Botëror të Bankave të Kursimit (WSBI). Në të kaluarën Z. Pencablıgil ka mbajtur pozicione të tjera si Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Anëtar i Bordi i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). në vitin 2012, Z. Pencablıgil është zgjedhur si “Drejtori i Përgjithshëm i Vitit në Evropë” nga revista prestigjioze “EMEA Finance”. Ai është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe së fundmi Z. Pencablıgil është vlerësuar nga revista prestigjioze financiare Finance Central Europe si “Bankieri më i mirë në Shqipëri për vitin 2020”.

Maltin KORKUTI
Anëtar
Drejtor i Përgjithshëm, Credins Bank
Z. Maltin Korkuti është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i bankës Credins më 17 korrik 2014. Para këtij pozicioni, ai mbante postin e zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Credins si dhe anëtar Bordi që prej themelimit të saj në 31 mars 2003. Z. Korkuti ka një eksperiencë mbi 20 vjeçare në industrinë bankare, sektorin e sigurimeve, menaxhimin e operacioneve bankare, riskut dhe veprimtarisë së thesarit.
Ai është një nga themeluesit e Bankës Credins si e para bankë me kapital shqiptar duke luajtur një rol kyç në krijimin e strukturave të Bankës si dhe rritjen dhe zhvillimin e saj ndër vite, duke u pozicionuar sot një nga dy bankat kryesore në treg. Z. Korkuti është nismëtar i themelimit, ngritjes dhe zhvillimit të suksesshëm të veprimtarisë së disa prej institucioneve të rëndësishme financiare në fushën e sigurimit, investimeve, leasing, brokerimit dhe bursës të krijuara në Shqipëri, disa prej të cilave janë nga iniciativat e para të ndërmarra në vend.
Fillesat e karrierës së tij në sektorin financiar kanë qënë në funksione drejtuese në Bankën e Kursimeve dhe më pas në Institutin Financiar “Credins” dhe në Credins Bank.
Z. Korkuti mban titullin “Magister rerum socialium oeconomicarumque” nga Universiteti i Vienës, fakulteti Ekonomisë, Dega Administrim Biznesi Ndërkombëtar në 1999, si dhe titullin Doktor nga Universiteti i Tiranës, Dega Financë – Kontabilitet në vitin 2004.
Z. Korkuti, përtej gjuhës amtare shqip, komunikon rrjedhshëm në Anglisht dhe Gjermanisht dhe ka njohuri të mira në Italisht.

Andi BALLTA
Anëtar
Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve
Andi Ballta ka një eksperiencë të gjatë në sektorin bankar në SHBA dhe Evropë. Z. Ballta ka qenë Menaxher në drejtim të NCH Capital Inc., një shoqëri investimesh private me qendër në New York. Ai drejtoi blerjen dhe menaxhoi një portofol rajonal të pronave në bregdetin Grek apo atë të Ballkanit Perëndimor për zhvillime turistike. Së bashku me NCH Capital, Z. Ballta krijoi Tranzit Finance, shoqëri shqiptare që merret me blerjen, mbledhjen dhe financimin e portofolit të borxheve. Në 2015, pas blerjes së Crédit Agricole Shqipëri ShA nga Tranzit Finance, Z. Ballta u bë Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank). Z. Ballta, përpara se t’i bashkohej NCH Capital Inc., punoi për shtatë vjet në Israel Discount Bank në New York dhe Miami si Zv. President i lartë – Drejtues i Financimeve në Sindikatë dhe të Sponsorizuara. Në mesin e viteve 1990 në Shqipëri, Z. Ballta punoi me GIZ ( ish GTZ – German Government Technical Assistance) ku ka asistuar ndërmarrje të vogla dhe të mesme në procesin e privatizimit dhe në lehtësimin e investimeve direkte në vend.

Flutura VEIPI
Anëtare
Drejtore e Përgjithshme e Union Bank
Znj. Veipi ka një eksperiencë të kalibrit ekzekutiv me gati njëzet vjet eksperiencë në fushën bankare, financiare, atë të investimeve dhe projekteve në menaxhim strategjik dhe lidership. Në vitin 2000, znj. Veipi iu bashkua ProCredit Bank Albania ku ka mbajtur disa pozicione kyçe drejtuese, dhe në përfundim atë të Drejtores së Bordit Drejtues të Bankës deri në vitin 2014. Aktualisht, znj. Veipi është Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive dhe Anëtare e Këshillit Drejtues të Union Bank.
Eksperienca dhe ekspertiza të tjera të saj përfshijnë edhe pozicione të tjera të rëndësishme e të nderuara si Anëtare e Bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Kryetare e Komitetit të “Woman Active in Business” në periudhën 2012-2014. Gjithashtu ka qenë Anëtare e Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës Shqiptare të Bankave në periudhën 2011-2013, si dhe nga viti 2019 e në vazhdim.
Znj. Veipi është diplomuar në Financë dhe Kontabilitet nga Universiteti i Tiranës në vitin 2000 si dhe ka një çertifikatë në MBA në Universitetin e Roehampton, Londër 2017.