Raportimi me IFRS, fitimi i sektorit bankar në rritje me 27% për 6-mujorin 1*
Të dhënat paraprake nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se fitimet e sektorit bankar sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) ruajtën një ecuri pozitive edhe për tremujorin e dytë të vitit.
Shifrat e raportuara nga bankat tregojnë se fitimi progresiv neto në fund të gjashtëmujorit arriti në 13.2 miliardë Lekë, në rritje me katër miliardë lekë të tjera krahasuar me fundin e tremujorit të parë. Fitimi i sektorit bankar është gjithashtu në nivele më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me 27% më shumë.
Rezultati i raportuar me standrdet IFRS shpesh ka diferenca të konsiderueshme në raport me atë që llogaritet sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë. Sipas standardeve lokale, fitimi i sektorit deri në fund të 5-mujorit rezultonte në rënie vjetore me 29%. Diferencat lidhen kryesisht me metoda të ndryshme që ndiqen për llogaritjen e fondeve rezervë dhe në zbutjen e rrezikut të kredisë. Sidoqoftë, IFRS-të janë standardet ligjore të raportimit financiar dhe referenca kryesore për performancën e sektorit bankar.
Nga 12 banka të sektorit, 11 prej tyre rezultonin me fitim në fund të 6-mujorit të parë.
Në vlerë absolute, fitimin më të larta vazhdon të ketë BKT, me 6.1 miliardë Lekë ose 52% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, rezultati i lartë i BKT ka ardhur kryesisht nga një zhvendosje në portofolin e letrave me vlerë gjatë tremujorit të parë të vitit, ndërkohë që në tremujorin e dytë fitimi ka pësuar një rënie të ndjeshme.
Pas BKT, e dyta me diferencë të madhe renditet Raiffeisen, që raporton një fitim neto prej 2.4 miliardë Lekësh, në rritje vjetore me 11%.
Banka e fundit që ka raportuar fitime sipër kufirit të 1 miliardë Lekëve është OTP Albania, me 1.5 miliardë Lekë, në rritje me 73% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, fitimi i OTP Albania do të korrigjohet me rezultatin negativ të Alpha Bank, që për 6-mujorin ishte e vetmja bankë që raportoi humbje, në vlerën e 176 milionë Lekëve. Blerja e Alpha Bank nga OTP u finalizua në 18 korrik dhe pritet që bashkimi mes dy bankave të realizohet deri në fund të këtij viti.
Renditja e fitimeve vijon me Bankën Amerikane të Investimeve (ABI Bank), me 933 milionë Lekë, Intesa Sanpaolo, me 635 milionë Lekë, Credins Bank, me 625 milionë Lekë, Union Bank, me 564 milionë Lekë, Tirana Bank, me 406 milionë Lekë, Fibank, me 355 milionë Lekë, ProCredit Bank, me 82 milionë Lekë dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 78 milionë Lekë.
Nëse i krahasojmë rezultatet e bankave në terma të kthimit nga kapitali aksioner (RoE) banka më fitimprurëse rezulton OTP Albania, me një nivel kthimi në masën 28.84%. Vijon BKT me 25.01%, ABI Bank, me 18.53%, Union Bank, me 17.55%, Fibank, me 17.25%, Raiffeisen, me 16.1% dhe UBA, me 13.57%. Bankat e tjera, me përjashtim të Alpha Bank, raportojnë kthime pozitive në nivele njëshifrore.
Shumica e bankave kanë raportuar fitime dhe kthime më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Kjo tregon se, deri tani, inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit kanë pasur një ndikim të kufizuar në performancën e sektorit.
Raportimi me IFRS, fitimi i sektorit bankar në rritje me 27% për 6-mujorin1*
1*Marrë nga ‘Revista Monitor’ . https://www.monitor.al/raportimi-me-ifrs-fitimi-i-sektorit-bankar-ne-rritje-me-27-per-6-mujorin/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.