
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) më 21 dhjetor 2022, organizoi prezantimin e gjetjeve të studimit mbi besimin dhe perceptimin e klientëve për bankat dhe sektorin bankar. Ky është studimi i dytë, i cili kryhet nga AAB tashmë me një frekuencë tre vjeçare dhe evidenton perceptimin e klientëve bankarë dhe eksperiencën e tyre ndaj shërbimit të ofruar nga bankat, shkallën e besueshmërisë krahasuar me institucione apo sektorë të tjerë, produktet dhe shërbimet bankare të përdorura më tepër, përdorimin e kanaleve digjitale, transparencën, etj.
Të ftuar ishin përfaqësues të bankave, të Bankës së Shqipërisë, të AMF, të institucioneve financiare jo-banka, organizatave jo-fitimprurëse, bashkëpunëtorë të AAB-së dhe media.
Prezantimi i gjetjeve të studimit u krye nga z. Edmond Çera, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve, IDRA Research & Consulting. Në studim përfshihen 1000 intervista me individë të moshës 18 vjeç e lart, të mbledhura nga e gjithë Shqipëria me një shpërndarje përfaqësuese.
Në fjalën e tij, Kryetari i AAB-së, z. Bledar Shella shprehu kënaqësinë që rezultatet e studimit treguan sërish se sektori bankar është industria ku individët besojnë më shumë në krahasim me industritë, institucionet dhe sektorët e tjerë. Duke pasur parasysh situatat e krijuara nga ngjarjet e viteve të fundit, si tërmeti, pandemia, inflacioni, etj, bankat kanë qenë pranë klientëve të tyre duke i ndihmuar dhe këshilluar për të kaluar sa më lehtë vështirësitë e hasura. Dhe kjo reflektohet edhe në rezultatet e këtij studimi.
Z.Shella falënderoi dhe mediat për transparencën e treguar në punën e bërë nga bankat si dhe shprehu angazhimin e përpjekjeve të përbashkëta për përmirësime më të mëdha deri në studimin e tretë.
Për të lexuar studimin e plotë mund të klikoni këtu.