Njoftim për shtyp: Platforma për rigjallërimin e kreditimit në Shqipëri

18/11/2019

Në datën 29 maj 2019, Banka e Shqipërisë organizoi një tryezë të përbashkët me bankat tregtare me temë “Sektori bankar si kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”. Në vijim të orientimeve të kësaj tryeze, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave organizuan punën e përbashkët për hartimin e një platforme me objektiva konkretë për rigjallërimin e kreditimit në ekonominë shqiptare në afat të mesëm. Aktualisht në Shqipëri, kreditimi i sektorit privat nga sektori bankar, si peshë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, është në një nivel mesatar dukshëm më të ulët në krahasim me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.

Treguesit financiarë të sektorit bankar dhe të dhënat e vrojtuara sa i përket ngarkesës me borxh të familjeve
dhe të ndërmarrjeve, dëshmojnë se potenciali për zgjerimin e kreditimit në tërësi dhe në sektorë të caktuar është i konsiderueshëm. Me qëllim shfrytëzimin e këtij potenciali, është hartuar kjo platformë nëpërmjet së cilës identifikohen disa veprime që ndihmojnë në uljen e rrezikut të kreditimit dhe krijojnë kushte më të mira për rritjen e kreditimit. Kjo platformë prek politikat e kreditimit të bankave, sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, por nuk kufizon dhe nuk përjashton ndërmarrjen e veprimeve të tjera mbështetëse. Për realizimin e veprimeve të përfshira në këtë platformë, do të nevojitej përmirësimi i akteve ligjore e nënligjore dhe bashkëpunimi efektiv midis institucioneve publike. Duke monitoruar në vijimësi ecurinë dhe strukturën e kreditimit, kjo platformë do të rishikohet në mënyrë të rregullt dhe, në varësi të ecurisë së kreditimit, do të pasurohet me elemente të tjera ose do të vlerësohet si e përmbushur.

 

 

 

Platformë për rigjallërimin e kreditimit!