Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) dhe Drejtori i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania, z. Silvio Pedrazzi, i shoqëruar nga disa drejtorë të përgjithshëm të bankave tregtare, zhvilloi një mëngjes pune me Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), z. Ervin Mete dhe përfaqësues të institucionit.
Në takim u diskutua në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me ligjet e reja të miratuara së fundmi në Kuvend “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” dhe “Për tregjet e kapitalit”.
Diskutimet u përqendruan tek hapësirat që krijojnë ligjet e reja për zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe fondeve të investimeve, duke shkëmbyer opinione në lidhje me mundësitë që ekzistojnë për zgjerim të këtij tregu dhe rolin e rëndësishëm të bankave në këtë drejtim. Në takim u bisedua edhe në lidhje me rolin e bankave si ndërmjetës në sigurime (bankassurance).
Gjithashtu, u bënë propozime për një bashkëpunim më dobiprurës midis AMF dhe AAB për organizimin e veprimtarive të përbashkëta për edukimin financiar profesional të pjesëmarrësve në tregun financiar.