
Në datën 13 maj 2020, Banka e Shqipërisë, në mjediset e saj, organizoi një takim diskutimi me temë “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: Sfidat e përbashkëta ekonomike në kushtet e pandemisë globale Covid-19”.
Ky takim i organizuar kishte për qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis sistemit bankar dhe biznesit për të përballuar sfidat e përbashkëta ekonomike të krijuara nga pandemia Covid-19, si dhe ofrimin e një platforme për shkëmbimin e ideve dhe nevojave mbi instrumentet që do të përdoren dhe masat e mëtejshme për t’u ndërmarrë. Pjesëmarrës në takim ishin drejtues të sistemit bankar, përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë – Shqipëri, Bashkimit Tregtar të Shqipërisë, Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Shoqatës së Hidrokarbureve, si dhe të Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Silvio Pedrazzi, theksoi përgjegjshmërinë, profesionalizmin dhe angazhimin e sektorit bankar në këtë situatë të jashtëzakonshme, duke siguruar gamën e plotë të shërbimeve financiare në përgjigje të nevojës së komunitetit. Në këtë kuadër, z. Pedrazzi vlerësoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe autoritetet publike dhe kërkoi më tepër mbështetje legjislative.
Ai veçoi disa sfida me të cilat po përballet dhe do të përballet sektori bankar në realitetin e ri, për të mbështetur kredimarrësit në nevojë pa komprometuar kriteret e huadhënies dhe duke ruajtur shëndetin e bilanceve të bankave.
Nga ana tjetër, z. Pedrazzi vlerësoi mbështetjen e rëndësishme që Banka e Shqipërisë u jep bankave tregtare dhe nënvizoi gatishmërinë e bankave për të vazhduar bashkëpunimin me grupet e interesit për të përballuar sfidat e përbashkëta ekonomike të krijuara.