Komitetit Ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Bankave në takim me Guvernatorin Sejko

24/07/2019

Më datë 24 korrik 2019, Komiteti Ekzekutiv (KE) i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), i kryesuar nga Kryetari z. Silvio Pedrazzi, zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Ky takim, i njohur tashmë si “Takimi i Verës”, u zhvillua në kuadër të dialogut tradicional dhe të vazhdueshëm që KE zhvillon me Bankën e Shqipërisë. Bashkëpunimi me autoritetin mbikëqyrës është mjaft i rëndësishëm për mbarëvajtjen e veprimtarisë bankare dhe për bashkërendimin e forcave dhe energjive në dobi të zhvillimit të tregut bankar.

Gjatë këtij takimi z. Pedrazzi e informoi Guvernatorin për zhvillimet më të fundit në AAB, duke u ndalur veçanërisht në vendimin mbi kontributin e AAB në ndihmë të pasojave të tërmetit në Prefekturën e Korçës si dhe në miratimin për të ngritjen e Byrosë së Kredisë. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë do të japë mbështetjen e saj të plotë në realizimin dhe funksionimin e Byrosë së Kredisë.

Një tjetër çështje më rëndësi e trajtuar gjatë takimit ishte rregullorja e miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare”, e quajtur ndryshe “Qasja e Tiranës”, e cila është hartuar në kuadër të plotësimit të angazhimeve të marra nga Banka e Shqipërisë në Planin Ndërinstitucional të Masave për reduktimin e kredive me probleme. Qëllimi i kësaj rregulloreje është lehtësimi i rimëkëmbjes financiare të kredimarrësve të mëdhenj në vonesë, të cilët kanë ekspozim në më shumë se një bankë. Anëtarët e KE bënë pyetje në lidhje me mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje. Përgjigjet e dhëna rrisin optimizmin për efektet pozitive që pritet të japë ajo në reduktimin e kredive me probleme.

Në vijim të takimit të zhvilluar në muajin maj për gjallërimin e kreditimit në vend, Guvernatori Sejko i njohu anëtarët e KE-së me hartimin e një plani konkret masash që synojnë përmirësimin e sasisë dhe të cilësisë së kreditimit. Ky plan masash i hartuar nga Banka e Shqipërisë do të konsultohet me bankat tregtare në vend. Përfaqësuesit e AAB-së mbështetën hartimin dhe zbatimin e këtij plani, i cili mund të pasurohet më tej gjatë procesit të diskutimit.

Interesimit të anëtarëve të KE-së në lidhje me projektet e shërbimit të pagesave dhe të shlyerjeve brenda vendit për transfertat në euro nga një bankë në një bankë tjetër, Guvernatori Sejko iu përgjigj duke thënë se miratimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave” do të sjellë risi në tregun bankar duke krijuar kushtet e favorshme për promovimin e risive teknologjike si dhe për rritjen e konkurrencës. Kurse projekti për shlyerjen e pagesave në euro brenda vendit tashmë mund të konsiderohet çështje muajsh.

Në mbyllje të takimit, përfaqësuesit e AAB-së shprehën angazhimin për konkretizimin dhe ndjekjen të projekteve të ndërmarra.

Foto