Zhvillimet në sistemin bankar – Statistikat Shtator 2011

18/11/2011

When:
November 18, 2011 @ 2:02 pm – 3:02 pm
2011-11-18T14:02:00-01:00
2011-11-18T15:02:00-01:00
Where:
Tiranë
Shqipëria

Aktivet e sistemit bankar në fund të tremujorit të tretë 2011 arritën në 1,095 miliardë lekë duke u rritur me 5 për qind krahasuar me një tremujor më parë, në përgjigje të rritjes së aktivitetit ndërmjetësues të sistemit bankar. Kontributin kryesor në zgjerimin e aktivitetit financiar e ka dhënë kreditimi i sektorit privat, i cili krahasuar me një tremujor më parë u rrit me 3.7 për qind duke arritur në 543 miliardë lekë, dhe përbën 50 për qind të aktiveve të sistemit. Muaji shtator në veçanti tregon për një përfshirje më të madhe të bankave në plotësimin e nevojave për financim të sektorit privat. Gjithsesi, ecuria e ngadaltë e ekonomisë është reflektuar edhe në rënien e cilësisë së portofolit të kredisë duke bërë që kreditë me probleme të arrijnë në 18.4 për qind të totalit të kredive. Gjithashtu niveli i rritur i këtij treguesi reflekton edhe zgjerimin më të ngadaltë të portofolit të kredisë. Bankat kanë rritur provigjonimet e tyre për mbulimin e kredive me probleme, megjithatë sistemi bankar ka arritur të ketë një fitim neto në vlera pozitive gjatë tremujorit.

Sistemi bankar vazhdoi të jetë i mirë-kapitalizuar me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit në vlerën 14.6 për qind në fund të shtatorit 2011, më lart se niveli minimal prej 12 për qind i kërkuar nga  kuadri rregullator. Kapitali aksioner i sistemit bankar është rritur duke reflektuar gatishmërinë e bankave për përmbushjen e kërkesave rregullatore dhe për krijimin e hapësirës për rritjen e kreditimit të sektorit privat. Po kështu burimet e financimit të aktivitetit financiar janë rritur më tej, sikurse vihet re në ecurinë e depozitave. Niveli i depozitave të sistemit bankar u rrit me rreth 46 miliardë lekë ose me 5.3 për qind që nga fundi i tremujorit të kaluar. Ecuria pozitive e depozitave të sistemit dëshmon për forcimin e besimit të publikut në sistem bankar si dhe vazhdimin e një sjellje të kujdesshme të individëve për të shpenzuar, në kushtet e pasigurive të larta për të ardhmen.

Aktiviteti bankar në fund të shtatorit 2011 paraqitet i shpërndarë në 541 degë e agjenci të bankave, me të paktën 6,578 të punësuar. Përgjatë këtij tremujori, bankat kanë kontribuar më tej në rritjen e infrastrukturës financiare në vend duke shtuar numrin e ATM-ve dhe POS-eve në dispozicion të klientëve për kryerjen e tërheqjeve dhe pagesave (përkatësisht me 5 ATM dhe 262 POS-e të reja). Gjithashtu, është shtuar me 6,413 numri i kartave me funksion pagese (debiti dhe krediti), të cilat arritën në fund të shtatorit në rreth 719 mijë karta të lëshuara nga bankat, ndërkohë që evidentohet rënie e volumit të transaksioneve të kryera nga individët me këto karta.