Organizohet mbledhja e 8-të e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE)

29/01/2020

When:
January 29, 2020 @ 4:40 pm – 5:40 pm
2020-01-29T16:40:00+01:00
2020-01-29T17:40:00+01:00

Sot, në datë 29.01.2020, nën kujdesin e Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), u organizua mbledhja e 8-të e ANFE. I ftuar në këtë takim të radhës ishte z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, i cili prezantoi shkurtimisht këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë mbi hartimin e strategjisë për edukimin financiar. Gjatë fjalës së tij nënvizoi rëndësinë e integrimit të të gjithë objektivave dhe iniciativave të organizatave apo institucioneve që punojnë në këtë drejtim në një dokument të vetëm. Ai theksoi, gjithashtu, se përpos iniciativës së Bankës së Shqipërisë apo edhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për hartimin e një strategjie për edukimin dhe përfshirjen financiare, është e nevojshme edhe mbështetja e Ministrive përkatëse dhe e donatorëve ndërkombëtarë të tregut.

Të ftuar, gjithashtu, në këtë mbledhje të radhës së ANFE ishin dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore (BB). Zj. Edlira Dashi, konsulente e projektit Greenback 2.0, bëri një prezantim të detajuar të projektit dhe specifikisht të komponentit për rritjen e kapaciteteve të sektorit “retail”, i cili do të zbatohet nëpërmjet moduleve të trajnimeve të kryera në Akademinë Greenback. I pranishëm në takim ishte edhe z. Nenad Bosiljčić, Konsulent i BB dhe Koordinator Rajonal për Projektin e Remitancave dhe Pagesave, i cili vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin e të gjitha organizatave për të koordinuar iniciativat e tyre në kuadër të edukimit financiar.

AAB informoi të gjithë anëtarët për planifikimin dhe organizimet e aktiviteteve në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë në kuadër të javës së parasë (23-29.03.2020) dhe ftoi të gjithë të bëhen pjesë e këtij kalendari aktivitetesh për të maksimizuar përfshirjen e të gjithë grupeve të synuara dhe për të rritur përpjekjet për të pasur një shtrirje rajonale sa më të gjerë.

Foto