Zhvillimet në sistemin bankar – Statistikat Dhjetor 2015

03/03/2016

Zhvillimet në sistemin bankar – Statistikat Dhjetor 2015

AAB publikon të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e katërt të vitit 2015 si dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin dhjetor 2015. Sipas këtyre të dhënave, totali i aktiveve të bankave tregtare arriti në rreth 1,318 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor, me një rritje vjetore prej 1.9%. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me një raport të kredisë ndaj depozitave rreth 53%, dhe i mirëkapitalizuar me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.7 %, në fund të muajit dhjetor 2015.

Totali i depozitave të vendosura pranë bankave arriti në fund të dhjetorit në 1,100.3 miliardë lekë, duke vijuar tendencën rritëse si në terma tremujor ashtu vjetor, me një rritje vjetore prej 2.6%, dhe duke reflektuar besimin e vazhdueshëm të klientëve në sistemin bankar. Në rritje paraqiten si depozitat e individëve ashtu edhe ato të bizneseve, por këto të fundit me një ritëm më të lartë rritjeje, që paraqitet në 6.7% përgjatë vitit 2015.

Në terma absolutë, teprica e kredisë së pashlyer në fund të vitit paraqitet në rënie prej 1.5%, por, kjo shifër është totalisht e ndikuar nga zhvillimet në portofolin e kredive ndaj bizneseve, ndërsa kredia për individët u rrit me 2% përgjatë vitit. Teprica e kredive ndaj bizneseve është ulur në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit si pasojë e fshirjeve të kredive të këqija nga bankat në përgjigje të masave të marra nga Banka e Shqipërisë për uljen e nivelit të kredive me probleme. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi e bizneseve ka mbetur shumë e dobët përgjatë gjithë vitit.

Gjithsesi, bankat vazhduan të kreditojnë ekonominë duke dhënë një total prej rreth 246.5 miliardë lekë kredi të reja përgjatë vitit 2015. Vetëm gjatë tremujorit të katërt, totali i kredive të reja të disbursuara ishte rreth 77.7 miliardë lekë, ose 39% më shumë sesa një tremujor më parë. Rreth 81.6% e totalit të kredive të reja janë dhënë gjatë vitit për bizneset. Nga këndvështrimi i qëllimit të përdorimit, rreth 45% e këtyre kredive të reja ishin overdraft-e, të cilat kanë afate të shkurtra shlyerje dhe ofrohen në bazë rinovimi të vazhdueshëm, duke impaktuar kështu shifrën e ulët të rritjes në totalin e portofolit.

Cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar vazhdimisht përgjatë tremujorëve të vitit 2015, kryesisht si pasojë e përpjekjeve të koordinuara të bankave tregtare dhe Bankës së Shqipërisë për zbatimin e masave të përmendura më sipër. Niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit dhjetor arriti në 18.2%, niveli më i ulët që prej muajit shtator 2014 kur kreditë me probleme arritën maksimumin me 25% të totalit të kredive.