Në fund të tremujorit të katërt 2012, aktivet e sistemit bankar arritën në 1,187 miliardë lekë, ose rreth 0.1 për qind më të ulëta nga fundi i tremujorit të kaluar. Në terma vjetor bilanci i bankave ka shënuar rritje prej rreth 6 për qind.
Kreditë e akorduara arritën 577,8 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 2 për qind. Rritje më të madhe përgjatë vitit ka shënuar kreditimi i kompanive, rreth 2.6 për qind, dhe rreth 0.23 për qind përgjatë tremujorit të fundit 2012. Ngadalësimi i ritmeve të rritjes së portofolit të kredisë për biznese pasqyron ecurinë e dobët të aktivitetit ekonomik në vend si dhe pasiguritë për të ardhmen. Me gjithë ngadalësimin e ritmeve të zgjerimit të kredisë, në muajin dhjetor është vënë re një rënie në kreditë me probleme, të cilat arritën në 22.5 për qind të totalit, krahasuar me 23 për qind në fund të muajit nëntor 2012, ndërkohë që bankat mbeten të përfshira në plotësimin e nevojave për financim të sektorit privat.
Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të tremujorit të katërt 2012, arriti rreth 991,7 miliardë lekë, me një rritje vjetore rreth 7.3 për qind. Kjo rritje u mbështet kryesisht nga depozitat e individëve të cilat janë rritur me 8.9 për qind në krahasim me një vit më parë, dukë ruajtur tendencën e tyre rritëse edhe përgjatë tremujorit të fundit. Ndërkohë, depozitat e bizneseve kanë shënuar një rënie përgjatë vitit prej rreth 2.8 për qind.
Sistemi bankar Shqiptar në fund të vitit 2012 është i mirëkapitalizuar; raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi rritje në nivelin prej 16.2 për qind, nga 15.9 që ishte në tremujorin e tretë. Ky tregues së bashku me ecurinë e mirë të depozitave konfirmojnë se bankat kanë potencialet e nevojshme për të plotësuar nevojat për financim të sektorit privat.
Gjatë vitit 2012, bankat kanë kontribuar në rritjen e infrastrukturës financiare në vend duke shtuar numrin e ATMve dhe POSeve në dispozicion të klientëve për kryerjen e tërheqjeve dhe pagesave, respektivisht me 18 ATM dhe 281 POSe të reja në krahasim me vitin 2011. Gjithashtu, janë shtuar transaksionet me karta me funksion pagese (debiti dhe krediti), të cilat ishin në fund dhjetorit 2012 rreth 7.7 për qind më të larta se në dhjetorin 2011 në nivel numri transaksionesh, dhe 4.7 për qind më të larta në nivel vlere të transaksioneve.
*Të dhënat për bankat që mungojnë do të azhornohen sapo të jenë përgatitur nga bankat përkatëse sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS)