Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Zhvillimet në sistemin bankar ­ – Statistikat Mars 2013

Statistikat Mars 2013

AAB publikon të dhënat financiare të bankave tregtare për tremujorin e parë të vitit 2013, sipas të cilave sistemi bankar Shqiptar vazhdon të jetë i mirëkapitalizuar dhe të ketë një ecuri të qëndrueshme. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi rritje në nivelin 16.8 për qind nga 16.2 për qind, raportuar në fund të vitit të shkuar. Aktivet e sistemit bankar arritën në 1.193 miliardë lekë duke shënuar në fund të marsit një rritje vjetore prej 4.7 për qind.

Totali i depozitave është rritur me ritme më të ngadalta se një vit më parë gjatë këtij tremujori. Stoku i depozitave është rritur me 0.5 për qind krahasuar me 1.5 për qind që ishte kjo rritje në të njëjtin tremujor një vit më parë. Po kështu, depozitat e individëve u rritën me 0.7 për qind në krahasim me një rritje prej 3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2012, ndërsa depozitat e bizneseve vazhdojnë të paraqiten në rënie. Ritmet më të ulëta të rritjes së depozitave kanë shoqëruar uljen e normave të interesave të depozitave të sistemit bankar, në përgjigje të transmetimit të sinjaleve të politikës monetare. Ndërkohë, ky ngadalësim vlerësohet të jetë në linjë me situatën financiare të konsumatorëve dhe krijimin më të pakët të parasë në ekonomi.

Teprica e kredisë për sektorin privat ishte 0.35 për qind më e lartë në fund të muajit mars 2013 krahasuar me fundin e vitit 2012. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori në total shënoi 40,890 milionë lekë dhe përbëhet në pjesën më të madhe (rreth 78 për qind) nga kredia për biznese. 41 për qind e kredisë së re është disbursuar në lekë ndërsa pjesa tjetër në monedhë të huaj, kryesisht në Euro. Kredia e re dhënë individëve është përdorur në mënyrë pothuajse të barabartë si për financimin e pronave të paluajtshme ashtu edhe të konsumit. Ndërkohë, kredia e re për bizneset është përdorur në pjesën më të madhe për financim likuiditeti afatshkurtër (rreth 66 për qind), dhe më pak për investime, si rrjedhim i kërkesës më të ulët për financim investimesh nga bizneset.

Kreditë me probleme vazhduan të rriten gjatë tremujorit të parë 2013 duke arritur në 23.7 për qind të totalit të kredive në fund të muajit mars. Kjo rritje ka ndikuar në fitimin e sistemit bankar, i cili edhe pse paraqitet pozitiv në shumën prej 1,331 milionë lekë për tremujorin e parë të vitit 2013, është rreth 32 për qind më i ulët se fitimi i të njëjtit tremujor një vit më parë.