
Tiranë, 16 maj 2014 – Shoqata Shqiptare e Bankave dhe Komiteti i saj i Kartave, i përbërë nga përfaqësues të bankave tregëtare anëtare të Shoqatës, organizuan Forumin e katërt Kombëtar të Kartave me temë “Biznesi i kartave – Zhvillime dhe risi”. Forumi, i cili u organizua për të katërtin vit radhazi, zhvilloi punimet në datë 16 maj 2014, në Hotel Sheraton, Tiranë. Në ndryshim nga vitet paraardhëse, këtë vit forumi u fokusua më shumë në zhvillimet e biznesit të industries së kartave. Përfaqësues të bankave tregtare në Shqipëri e Kosovë, të Bankës së Shqipërisë, të Visa, Master Card dhe PayLink, përfaqësues të kompanive lokale e ndërkombëtare që ofrojnë shërbime teknologjike në fushën e pagesave elektronike si: EasyPay, Mellon, Printec, Asseco dhe Mpay, si dhe përfaqësues të shërbimeve utilitare morën pjesë në forum.
Në fjalën e tyre të hapjes, Zj. Endrita Xhaferaj, Sekretare e Përgjithshme e AAB dhe Zj. Irida Huta, Kryetare e Komitetit të Kartave përshëndetën të pranishmit e theksuan rolin e kësaj tryeze diskutimi që mbledh ekspertë të fushës së kartave dhe sistemeve të pagesave dhe prezantuan shkurtimisht zhvillimet dhe mundësitë për biznesin e kartave në Shqipëri. Në seksionin e parë të forumit, referuesit sollën risitë në industrinë e kartave, si dhe analizuan trendin e zhvillimeve të këtij sektori. Në vijim, në seksionin e dytë, përfaqësues të bankave tregtare prezantuan modele të reja pagesash, të cilat u ofrohen klientëve nga këto banka.
Në fund të këtij Forumi, i cili tashmë është një mundësi e përvitshme prezantimi të mundësive që sektori ofron, u diskutua mbi konklusione dhe sygjerime për rritjen e sektorit të kartave dhe pagesave elektronike në vend.