
Tiranë, 17 maj 2013 – Shoqata Shqiptare e Bankave dhe Komiteti i saj për Luftën Kundër Mashtrimeve me Karta për të tretin vit rradhazi organizuan Forumin Kombëtar Shqiptar të Kartave. Forumi zhvilloi punimet në datë 17 maj 2013, në Hotel Sheraton, Tiranë. Tematika e këtij aktiviteti për këtë vit ishte: “Drejt një të ardhme dinamike të biznesit”. Pjesëmarrës dhe referues në Forum ishin përfaqësues të bankave tregtare në Shqipëri e Kosovë, të Bankës së Shqipërisë, të Visa dhe Master Card, të Policisë së Shtetit, të OPDAT si dhe përfaqësues të kompanive lokale e ndërkombëtare që ofrojnë shërbime teknologjike në fushën e pagesave elektronike nga: INFIGO, EasyPay, Mellon, Printec, Asseco dhe MPay. Të ftuar ishin gjithashtu përfaqësues të kompanive që ofrojnë shërbime utilitare të lidhura me teknologjinë e telefonisë dhe komunikimit mobile.
Në Forumin e këtij viti, u vu theksi në analizën e tregut si dhe zhvillimet më të fundit në industrinë e kartave dhe pagesave, parë nga këndvështrimi i mundësive të rritjes dhe zhvillimit të biznesit si dhe rreziqeve që e shoqërojnë atë.
Fjala e hapjes u mbajt nga Zj. Endrita Xhaferaj, Sekretare e Përgjithshme e AAB dhe Enkelejda Balliu, Kryetare e Komitetit për Luftën Kundër Mashtrimit me Karta. Në vijim, përfaqësues të bankave tregëtare në Shqipëri e Kosovë dhe kompanive që ofrojnë shërbimet e tyre në Shqipëri diskutuan dhe prezantuan zhvillimet më të fundit të biznesit si dhe produktet me inovative të lidhura me teknologjinë. Në seksionin e dytë të forumit u analizuan raste të mashtrimeve me karta, në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe u diskutua mbi sfidat që mund të përballet industria e kartave dhe pagesave në të ardhmen nga pikëpamja e riskut dhe menaxhimit të tij.
Forumi u vlerësua nga të pranishëmit si një mundësi e përvitshme për të vlerësuar dhe nxitur progresin e industrisë së kartave dhë pagesave elektronike si mjet për reduktimin e cash –it (parasë fizike) në treg si dhe për uljen e ekonomisë informale.