Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi në 17 Dhjetor 2013 darkën e përvitshme të fundvitit me drejtuesit dhe përfaqësues të tjerë nga të gjitha bankat anëtare, Guvernatorin Z. Ardian Fullani, dhe të ftuar të tjerë specialë nga Banka e Shqipërisë, si dhe anëtarët e Bordit Editorial të Revistës Bankieri.
Të ftuar nderi në këtë mbrëmje ishin edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi, dhe Z. Nadeem Ilahi, Drejtues i Misionit të FMN-së për Shqipërinë.
Në fjalën e hapjes, Kryetari i Shoqatës së Bankave, Z. Seyhan Pencabligil uroi mirëseardhjen dhe prezantoi për të pranishmit ecuritë dhe sfidat që përballën bankat gjatë vitit 2013.
Z. Fullani, në fjalën e tij përcolli urimet për një Vit të Ri të suksesshëm, si dhe theksoi drejtimet në të cilat duhet punuar për një vit më të mirë për industrinë bankare dhe ekonominë shqiptare, duke theksuar mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në të gjithë proceset.
Z. Ilahi dhe Z. Sequi mbajtën fjalë përshëndetëse për të pranishmit, ku shprehën konsideratat e tyre nga një këndvështrim Evropian dhe ndërkombëtar mbi ecurinë e deritanishme të ekonomisë shqiptare si dhe sfidat të cilat priten të përballohen gjatë vitit të ardhshëm, me mbështetjen ndërkombëtare e vendase.