Tryezë diskutimi “Mbi përmirësimin e raportimit të bankave në kuadrin e luftës për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”

24/05/2013

When:
May 24, 2013 @ 1:31 pm – 2:31 pm
2013-05-24T13:31:00+00:00
2013-05-24T14:31:00+00:00
Where:
Tiranë
Shqipëria

Tiranë, 24 Maj 2013 – Shoqata Shqiptare e Bankave në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave organizoi në ambientet e “Sky Hotel”, një tryezë diskutimi mbi problematikat e hasura në raportimet e bankave në zbatim të ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. Në këtë tryezë morën pjesë Z. Agron Kaja, Zv/Drejtor i Përgjithshëm, Z. Agim Ismaili, Përgjegjës i Sektorit të Analizave në DPPPP, Z. Aleks Marku, Përgjegjës i Sektorit të Legjislacionit dhe Trajnimit në DPPP, përgjegjësit e përputhshmërisë dhe specialistë në çështje të parandalimit të pastrimit të parave në bankat tregtare; dhe Zj. Anjeza Harizaj, Përgjegjëse Sektori në Departamentin e Mbikëqyrjes dhe përfaqësues të tjerë Bankës së Shqipërisë.

Në fjalën e saj të hapjes Zj. Xhaferaj falënderoi përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), për iniciativën e tyre mbi organizimin e kësaj Tryeze si edhe për disponibilitetin dhe bashkëpunimin e frytshëm të kësaj drejtorie me AAB dhe bankat anëtare në lidhje me zbatimin e saktë të kuadrit rregullator për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmin.

Z. Kaja në fjalën e tij i vlerësoi gjithashtu bashkëpunimet teknike ndërmjet përfaqësuesve të bankave dhe përfaqësuesve të DPPPP-së, në kuadër të shkëmbimit dhe diskutimit të shqetësimeve dhe paqartësive, me qëllimin dhe dëshirën e mirë për te zbatuar sa më drejtë ligjin dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, dhe falënderoi AAB-në për organizimin e këtyre takimeve. Ai theksoi se DPPPP-ja e vlerëson së tepërmi shkëmbimin e eksperiencave të subjekteve banka duke i konsideruar ato si model i një veprimtarie ekonomiko ligjore, dhe nënvizoi se qëllimi i kësaj drejtorie nuk është marrja e masave ndëshkuese ndaj këtyre subjekteve, por respektimi me përpikmëri i kuadrit rregullator përkatës. Edhe Z. Ismaili, në fjalën e tij, u shpreh se megjithëse numri i raportimeve të subjekteve banka është rritur mbetet ende punë për tu bërë nga këto subjekte më qëllim përmirësimin e tyre cilësor, si në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme më cilësore të personelit të bankave, ashtu edhe përsa i përket ruajtjes dhe dokumentimit të analizave të bankave në kuadrin e vigjilencës së zgjeruar.

Zj. Harizaj duke e vlerësuar pjesëmarrjen në këtë panel të hapur si mjaft eficent për shkëmbimin e eksperiencave, vuri theksin mbi probleme të evidentuara dhe në raportet e inspektimit të BSH-së, dhe mbi nevojën e rritjes së përgjegjshmërisë të punonjësve të Kontrollit të Brendshëm të bankave, përsa i përket zbatimit të saktë të ligjit.

Më tej, pjesëmarrësit në takim u ndalën në problematika më teknike të hasura gjatë raportimeve, dhe diskutuan mbi mënyrat më të mira për ti adresuar ato në të ardhmen.

Gallery