“Një udhëtim në historinë e Bankave në Shqipëri” AAB nderon me çmime kontribuuesit ndër vite në sistemin bankar

4/12/2012

When:
December 4, 2012 @ 1:55 pm – 2:55 pm
2012-12-04T13:55:00-01:00
2012-12-04T14:55:00-01:00

Tiranë, më 4 dhjetor 2012 – Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në kuadër të 100-Vjetorit të Pavarësisë, promovoi botimin e saj mbi historikun e Bankave në Shqipëri në një ceremoni të mbajtur në Hotel Sheraton. I shkruar nga tre bankierë dhe akademikë të njohur, libri mbulon historikun e bankave në vend që prej fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë deri më sot.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitete të ekonomisë e sistemit bankar, politikës dhe bizneseve, si dhe përfaqësitë e huaja në Shqipëri. Referuesit theksuan rëndësinë e këtij botimi dhe falenderuan hartuesit e tekstit për punën e tyre.

Kryetari i Shoqatës së Bankave, z. Seyhan Pencabligil, pasi u uroi të pranishmëve mirëseardhjen, bëri një prezantim të shkurtër të librit. Z. Seyhan Pencabligil falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët që mundësuan realizimin e këtij libri dhe shprehu bindjen e tij që shekujt përpara nesh do të jenë më të ndritshëm e të begatë për popullin shqiptar dhe bankat do të vazhdojnë të kontribuojnë në këtë drejtim.

Zv.Ministri i financave z. Nezir Haldedaj , i pranishëm në këtë aktivitet, ndër të tjera theksoi kontributin e bankave ne zhvillimin e ekonomisë. Pjesëmarrësit në këtë aktivitet u përshëndetën nga znj. Elisabeta Gjoni, zv/guvernatore e Parë e Bankës së Shqiperisë, e cila përmendi kontributin historik dhe edukativ të këtij botimi që solli Shoqara Shqiptare e Bankave dhe nga z. Petraq Milo, këshilltar ekonomik i kryeministrit. Z. Milo i cili u ndal tek meritat e drejtuesve të bankave për drejtim dhe menaxhim të mirë të këtyre institucioneve.

Në këtë ceremoni AAB nderoi me çmime mirënjohje disa ish-bankierë që ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e sistemit bankar në Shqipëri, si: Dhimitër Pasko, Sofokli Memo, Kamber Myftari, Thoma Semi, Llazi Balliu, Andon Thimjo, dhe Fori Bici. Vlerësimi i tyre vjen pas propozimit të bërë nga Shoqata Shqiptare e Bankave me motivacionin “për kontributin e tyre në sistemin bankar”.

Në fund të këtij aktiviteti u shpërndanë kopje të librit për të pranishmit.

Gallery