
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) mundësoi për këtë vit shkollor shpërndarjen falas të 2500 kopjeve të paketës së re mësimore “ 1,2,3 … Derrkuci Çufo mëson të kursejë” dedikuar edukimit financiar të nxënësve që ndjekin klasën I, II, dhe III të shkollës 9 vjeçare në Tiranë dhe disa rrethe.. Kjo lëndë me zgjedhje mbi edukimin financiar është përfshirë si pjesë zyrtare e kurrikulës mësimore të arsimit 9 vjeçar shqiptar për herë të parë këtë në vitin akademik 2013-2014, dhe është hartuar nga specialistë të Bankës së Shqipërisë.
Printimi i 2500 paketave dhe shpërndarja e tyre nga AAB në shkollat: “Kosova”,”Jeronim de Rada”, “Skënder Çaçi”, “Konferenca e Pezës”, “Gustav Mayer”, “Fan S. Noli”, “Shkolla e Kuqe”, “Turgut Özal”, “Ylber” në Tiranë, dhe “Gjok Elezi” në Laç, u mundësua në vijim të angazhimit serioz të Shoqatës për edukimin ekonomik dhe financiar të publikut, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, si dhe me partnerë të tjerë.
Sekretariati i AAB-së prezantoi këtë paketë në ambientet e shkollës 9 vjeçare “Fan S. NOLI” në klasat e I dhe II-ta të kësaj shkolle dhe shpjegoi shkurtimisht se paketa përmban një material të shkurtër të shkruar në formën e një përralle me fokus derrkucin Çufo dhe fletët e punës për ushtrimin e fëmijëve në çështje dhe probleme të edukimit financiar. Nxënësit u përshëndetën nga Zv. Drejtoresha Zj. Delina Saliu e cila shpjegoi se kjo paketë e re mësimore është përgatitur veçanërisht me idenë e ushqyerjes tek fëmijët të ndjenjës e kujdesit për paranë dhe idenë e kursimit si mjet për të përmbushur detyrimet dhe dëshirat në jetën e përditshme.
Paketa “ 1,2,3 … Derrkuci Çufo mëson të kursejë” është përzgjedhur nga rreth 11 mijë nxënës në të gjithë vendin, të cilëve u ofrohet falas ky libër.