Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Edukimi Financiar dhe AAB

 

 

 

Gjatë rrugëtimit të shoqërisë njerëzore, paraja lindi, u rrit dhe u zhvillua si një mjet bashkë-shoqërues, por asnjëherë kaq e domosdoshme në jetën personale të çdo njeriu sa tani në efektet e revolucionit të katërt industrial. Ekzistenca e njeriut sot, mirëqenia e tij, karriera, përpjekjet për progresivitet, konkurrenca dhe kërkesa për të qenë në çdo moment i aftë të ecë përpara, janë të lidhura pandashmërisht me menaxhimin e parasë, me njohuritë për përdorimin e financave personale, vendimmarrjen dhe risqet që shoqërojnë jetën tonë ekonomike dhe financiare. Por pa e mistifikuar dhe pa e hiperbolizuar paranë në vetvete!

Pra, kushtet na sjellin në një situatë që duam s’duam ne, jemi të detyruar të ndeshemi dhe të merremi me paranë. Dhe nuk bëhet fjalë për një pakicë njerëzish, siç mund të jenë konsideruar në të shkuarën, por për popullatën në tërësi. Janë të domosdoshme njohuritë për të ardhurat, për detyrimet tatimore dhe ato pensionale, për të ardhurat e disponueshme, për shpenzimet, për prioritetet e tyre, për kursimet, për objektiva të qarta afatshkurtra dhe afatgjata, për kreditë dhe për tregjet financiare. Njohuritë mbi koncepte si norma e interesit, norma e përbërë e interesit (rikapitalizimi), inflacioni dhe deflacioni ndikojnë jetën tonë financiare e për pasojë nivelin e mirëqenies sonë.

Për të gjitha këto arsye, rreth një dekadë më parë, OECD mori iniciativën për edukimin financiar, për ndërgjegjësimin e institucioneve dhe individëve për nevojën e njohurive financiare, duke ndërtuar për këtë qëllim një fushatë të përvitshme si “Java e Parasë” që organizohet çdo fillim pranvere në rreth 176 vende të botës.

AAB është pjesë e kësaj fushate sensibilizuese për informimin e publikut dhe ndërtuese për pajisjen me njohuritë financiare bazë. Kjo është pjesë e veprimtarisë së saj e dëshmuar me veprimtaritë e organizuara gjatë Javës së Parasë (bashkë me Bankën e Shqipërisë), përgatitjet e videove informuese, fletëpalosjeve, leksioneve, takimeve në shkolla, pjesëmarrjes në median vizive, organizimit të forumeve, shkrimeve dhe publikimeve të ndryshme, lojërave të organizuara, botimeve, etj. Prezantimi më i fundit është përkthimi i librit “Hapat e parë në financë” me autor Gunnar Baldvinsson, një libër i thjeshtë, i shkurtër, konciz, sqarues për të gjithë ata që kanë nevojë për njohuritë bazë në financat personale. I ofruar në variantin elektronik, atë mund ta lexosh nga çdo pajisje elektronike – kompjuter, tablet, smartfone. Mund të zgjedhës temën që dëshiron dhe mëson çfarë të duhet.

AAB mbetet e vendosur të kontribuojë me forma nga më të ndryshmet për të ndërgjegjësuar publikun të mësojë rreth financave personale, përveç përpjekjeve që bëhen me strukturat e sistemit arsimor që këto njohuri të përmirësohen në kurrikulat mësimore. Në këto përpjekje AAB nuk është e vetme, por pjesë e një fronti të përbërë nga institucione shtetërore dhe organizata të tjera jo-fitimprurëse me qëllim ndërtimin e një strategjie kombëtare për edukimin financiar.

Spiro Brumbulli
Sekretar i Përgjithshëm
Shoqata Shqiptare e Bankave