
AAB në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK) organizuan, për herë të parë së bashku, Forumin e tretë Kombëtar për “Sigurinë në banka”. Forumi i zhvilloi punimet më 28 Maj 2014, në Hotel Theranda, Prizren, Kosovë. Pjesëmarrës në aktivitet ishin përfaqësues të bankave tregtare në Shqipëri dhe Kosovë, të Bankave Qendrore të të dy vendeve, Policisë dhe Agjencisë Kombëtare për mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë, si dhe përfaqësues të kompanive të cilat ofrojnë shërbime në këto fusha. Këtë vit, Forumi mbuloi dy fusha të sigurisë bankare: atë fizike dhe sigurinë e informacionit. Një theks i veçantë u vendos në zhvillimet më të reja në fushën e sigurisë bankare dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimit ndërmjet strukturave të sigurisë në bankat tregtare dhe institucioneve mbikqyrëse shtetërore dhe partnerëve të tjerë.
Në fjalën e tyre të mirëseardhjes, Z. Ilir Aliu, nënkryetari i Bordit Drejtues të SHBK-së, Z. Petrit Balija, Sekretar i Përgjithshëm i SHKB-së dhe Zj. Endrita Xhaferaj, Sekretare e Përgjithshme e AAB-së, përshëndetën këtë bashkëpunim të Shoqatave dhe vlerësuan nevojën për një bashkëpunim të mëtejshëm vendor dhe rajonal në këtë sektor.
Në këtë forum, përfaqësues nga bankat tregtare në Shqipëri prezantuan punën e Komiteteve të Sigurisë Fizike dhe Sigurisë së Informacionit pranë AAB si dhe çështje aktuale në Shqipëri në këto dy fusha.