Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Java e Parasë 2022

 

Java e Parasë 2022, 21-27 mars 2022, “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

 

Në datat 21-27 mars 2022, Shoqata Shqiptare të Bankave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë  dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, festojnë Javën e Parasë 2022, nën sloganin “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”. Aktivitetet edukative të organizuara gjatë kësaj javë synojnë t’i përfshijnë fëmijët dhe të rinjtë, duke u mësuar si të mendojnë financiarisht.

 

Mbi 2200 nxënës nga 150 shkolla

Mbi 600 studentë

 

Ceremonia e kremtuese e Javës së Parasë

Më 24 mars 2022 u organizua ceremonia kremtuese e Javës së Parasë në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. Gjatë kësaj ceremonie, morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe drejtues të lartë të bankave tregtare.

Aktivitetin e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Evis Kushi, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella.

 

Pas fjalëve të rastit, aktiviteti vijoi me shpërndarjen e çmimeve për fituesit e 5 konkurseve të shpallura më parë nga Banka e Shqipërisë dhe AAB:

  1. Konkursi për nxënësit e klasave III-IV me vizatime “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!” – mbështetur nga Union Bank.
  2. Konkurs për nxënësit e klasave IX me fotomontazhe (meme) “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!” – mbështetur nga OTP Bank Albania.
  3. Konkursi  për nxënësit e shkollave të mesme “Videoja më e mirë” me temë “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!” – mbështetur nga Credins Bank.
  4. Sfida e Javës: 7 pyetje mbi paranë dhe bankat për gjimnazistët – mbështetur nga Raiffeisen Bank.
  5. Konkursi i esesë më të mirë me temë “Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare” – mbështetur nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).

 


Leksione të hapura në universitete

 

Bankingu digjital

Më 24 dhe 25 mars 2022, në kuadër të Javës së Parasë, në bashkëpunim me bankat anëtare u organizuan leksione të hapura me temën Rinia dhe Bankingu Digjital. Përfaqësuesit e bankave iu drejtohen studentëve për t’i ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e kulturës financiare si pjesë e formimit të përgjithshëm. Gjatë leksioneve u prezantua orientimi dhe përparësia që bankat kanë drejt plotësimit të nevojave të klientëve nëpërmjet kanaleve digjitale, pasi  ndryshimi i sjelljes konsumatore detyron shitjet e produkteve bankare drejt kanaleve digjitale.

 

Leksionet u organizuan në bashkëpunim me disa universitete:

  • Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN),
  • Universiteti Epoka
  • Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës
  • Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (UMSH)
  • Tirana Business University (TBU)
  • Universiteti Luigj Gurakuqi, Shkodër,
  • Universiteti Aleksandër Xhuvani, Elbasan.

 

Leksion i hapur në Universitetin Epoka

Në datën 25 mars, z. Alessandro D’Oria, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe z. Julian Çela, Drejtor i Përgjithshëm Financiar në Intesa Sanpaolo Bank Albania, vizituan ambientet e universitetit Epoka, në Tiranë. Pjesë e kësaj vizite, ishte mbajtja e një leksioni të hapur me 100 studentë të fakultetit të ekonomisë dhe shkencave administrative, mbi temën e buxhetimit dhe pasqyrave financiare. 

 


 

Kuizi i Parasë

Më 30 mars 2022, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), organizoi për herë të katërt Kuizin Evropian të Parasë me pjesëmarrjen e 360 nxënësve të grup moshës 13-15 vjeç nga 58 shkolla nga i gjithë vendi. Konkursi u realizua online dhe u shfaq Livestream në kanalin YouTube të AAB-së. Pjesëmarrësit konkurruan në bazë ekipore të organizuar nëpërmjet platformës online Kahoot!.

Nxënësit pjesëmarrës u përshëndetën nga Zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, znj. Luljeta Minxhozi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, z. Genci Mamani dhe Sekretari Përgjithshëm i AAB-së, Z. Spiro Brumbulli.

Lexo më shumë

Shiko video Kuizi i Parasë

Ceremonia e ndarjes së çmimeve të Konkursit të Parasë

 


 

Aktivitete të tjera të bankave anëtare

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) organizoi një aktivitet me fëmijët e shkollës WAT (World Academy of Tirana), i cili kishte për qëllim përfshirjen financiare të fëmijëve, duke i mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen dhe mirëqenien e tyre.

Intesa Sanpaolo Bank Albania organizoi një orë të hapur mësimore me nxënës të klasave të katërta dhe të pesta në “Albanian College”, në Tiranë mbi rëndësinë e sigurisë online. Nxënësit, patën mundësi të njiheshin nga afër me njohuri mbi sigurinë online të paraqitur në mënyrë të thjeshtëzuar me anë të prezantimeve të personalizuara për fëmijë.

Banka OTP Albania zhvilloi një orë mësimore mbi Edukimin Financiar të Fëmijëve me nxënësit e klasave të shtata të shkollës 9-vjeçare “Ylber” në Tiranë. Rreth 70 nxënës patën mundësi të merrnin dije dhe pyesnin për koncepte bazë të parasë, bankës dhe funksioneve të saj për sigurinë, kursimin dhe investimin për arritjen e pavarësisë së tyre financiare.

UBA Bank lançoi projektin e saj në kuadrin e Edukimit Financiar të publikut. Banka ftoi studentët e CIT dhe jo vetëm, të marrin pjesë në konkursin me temë “UBA Mobile Banking – Business Case”. Bank mirëpret të gjitha propozimet dhe sugjerimet e studentëve për ide të reja në përmirësimin apo përshtatjen e këtij produkti, për të qenë më i dobishëm dhe lehtësisht i përdorshëm nga klientët. Në përfundim të konkursit do të vlerësohen tre projektet më të mira.

 

NJOFTIMI PER SHTYP

Broshura

GALERIA