Digjitalizimi bankar: “Pa shkuar në bankë”
Kohët e fundit digjitalizimi i bankave është vënë në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe ka tërhequr vëmendje të shtuar të strukturave shtetërore dhe publike. Shkurt disa shpjegime për digjitalizimin e bankave për këdo që do më shumë njohuri për të gjykuar vetë.
Digjitalizim i bankave, në kuptimin praktik, do të thotë të mos shkosh më në një degë banke apo në një njësi fizike të bankës. Kjo do të thotë që Ti:
- Të hapësh llogari pa shkuar në bankë
- Të bësh transferta bankare kombëtare apo ndërkombëtare, si dhe pagesa të ndryshme, të çdo lloj shërbimi dhe/ose malli, pa shkuar në bankë;
- Të firmosësh dokumente bankare, kontrata, për kredi apo depozita, pa shkuar fizikisht në bankë;
- Të paguash detyrimet për shtetin, tatime, taksa, TVSh, sigurime shëndetësore dhe shoqërore pa shkuar në bankë;
- Të paguash për shërbimet utilitare: energji, ujë, telefon, gjoba pa shkuar në bankë;
- Të bësh këmbim monedhash pa pasur para fizike në duar dhe pa shkuar në bankë;
- Të kontrollosh në çdo kohë balancën e llogarive të tua pa shkuar në bankë;
- Të paguash për shërbimet publike pa shkuar në bankë.
Në të gjitha sa më sipër togfjalëshi “pa shkuar në bankë” nuk është lapsus, por thelbi i asaj që realizon digjitalizimi. Pra, teknologjia na krijon mundësinë e arritjes së bankës nga çdo vend, në çdo kohë, për çdo nevojë, pa dashur të dimë se ku është dega e bankës, nëse është e hapur apo mbyllur, nëse ka radhë apo jo.
Që një bankë të quhet plotësisht e digjitalizuar, duhet që të mbyllë ciklin e plotë që nga hapja e llogarisë dhe deri te plotësimi i gjithë listës së shërbimeve që ofron. Parë kështu, sot në banka nuk kryhen “pa shkuar në bankë”:
- Hapja e llogarisë në distancë;
- Kryerja e transfertave ndërkombëtare për biznesin dhe pjesërisht për individin;
- Nënshkrimi elektronik;
- Pagesa për shërbimet publike.
Në momentin që mbyllen edhe këto pjesë të veprimtarisë bazë të bankës, atëherë mund të themi se banka është e digjitalizuar plotësisht dhe mbetet, sipas rastit, për të përmirësuar procedura të caktuara për t’i kryer pa praninë fizike.
Fakti që për këto katër aspekte po punohet intensivisht (diku për sqarim të kuadrit ligjor dhe rregullues, dhe diku për një koordinim dhe bashkëpunim institucional) nuk do të thotë se digjitalizimi i bankave është i prapambetur dhe se bankat nuk kanë qenë avangardë e revolucionit teknologjik. Sepse gjithë shërbimet e tjera sa më lart kryhen sot “pa shkuar në bankë” dhe me siguri të plotë.
Të mos mbivendosim mundësinë dhe zgjidhjet që ofron banka për kryerjen e pagesës në distancë me hezitimin e disa klientëve që vazhdojnë të preferojnë degën fizike të bankës për të kryer këto shërbime e që krijojnë radhë, për të thënë që bankat “janë mbrapa me digjitalizimin”.
Pa shkuar në bankë dakord, po si atëherë? Përdor çdo mundësi të krijuar nga banka: nëpërmjet aktivizimit të aplikacionit të e-banking në celularin tënd, lidhjes me internet nga kompjuteri, përdorimit të kartës së debitit ose kreditit ku ka POS fizik ose virtual, përdorimit të ATM-ve.
Bëje edhe ti përpjekjen tënde për ta sjellë bankën ku je!
Nga Dr. Spiro Brumbulli