
Shoqata Shqiptare të Bankave (AAB), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në datat 20-26 mars 2023, festojnë Javën e Parasë 2023, nën sloganin “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”. Gjatë kësaj javë, AAB, së bashku me bashkëpunëtorët dhe partnerët e saj, është e angazhuar në organizimin e aktiviteteve të cilat kanë si qëllim të edukojnë brezin e ri për bërë plane financiare të shëndetshme gjatë gjithë jetës së tyre. Konkurset, leksionet e hapura, vizitat dhe takimet që zhvillohen këto ditë në ambientet e Bankës së Shqipërisë, të bankave dhe institucioneve arsimore janë një pjesë e vogël e punës vjetore që zhvillohet nga AAB dhe të gjithë partnerët në edukimin financiar të të gjitha grup moshave.
Ceremonia e çeljes së Javës së Parasë 2023, u organizua në mjediset e Bankës së Shqipërisë, më 20 mars 2023. Aktivitetin e përshëndetën z. Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë; zj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit; dhe z. Bledar Shella, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko shprehu rëndësinë që Banka e Shqipërisë i kushton kulturës dhe përfshirjes financiare, duke e bërë pjesë integrale të detyrave të saj institucionale. Ai përmendi punën e bërë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të gjithë partnerët e brendshëm, për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare (SKEPF), që përshkruan parimet dhe objektivat e përgjithshme të edukimit dhe përfshirjes financiare.
Ministrja Kushi theksoi edhe njëherë rëndësinë e edukimit financiar, për të formuar qytetarë të denjë duke i pajisur me njohuritë e duhura. Edukimi financiar trajtohet si lëndë më vete në kurrikula duke mundësuar dhe vënien në praktikë të njohurive të marra.
Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Shella, në fjalën e tij solli në vëmendje përfshirjen e AAB-së dhe bankave në iniciativat dhe projektet e përbashkëta, dhe shprehu përkrahjen e mëtejshme për çdo iniciativë që do të kontribuojë në përmirësimin e njohurive mbi paranë dhe financat, si një nevojë që e sjell koha.
Aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit 5 konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë dhe të shpallura më parë. Këto konkurse u mbështetën nga bankat anëtare të AAB-së.
Përveç konkurseve dhe veprimtarive në institucionet arsimore, një aktivitet tjetër i rëndësishëm është dhe Kuizi i Parasë, finalja kombëtare e të cilit do të realizohet më 30 mars 2023, ku fituesit do të shpërblehen nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Raiffeisen Bank do të mundësojë pjesëmarrjen e ekipit fitues të Kuizit të Parasë në konkursin evropian në Bruksel në datën 16 maj 2023.